Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë në nivel të Bashkimit Evropian për të frenuar rritjen e kostove të energjisë, duke theksuar se kriza në Lindjen e Mesme po ushtron presion mbi çmimet dhe inflacionin.
Gjatë një takimi me përfaqësues të industrisë në zonën e Milanos, Meloni nënvizoi nevojën për të kufizuar çmimin e gazit natyror që përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas saj, përgjigjja duhet të jetë e shpejtë, por edhe të përfshijë masa strukturore për të përballuar pasojat afatgjata të krizës.
Kryeministrja paralajmëroi se zhvillimet në Lindjen e Mesme, përfshirë krizën në Iran, mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe paqëndrueshmërinë në Detin e Kuq, po ndikojnë në kostot e energjisë, lëndëve të para dhe transportit.
Sipas Melonit, këto zhvillime po nxisin një rritje të inflacionit që shkon përtej mundësive të kontrollit të qeverive kombëtare, duke rënduar veçanërisht familjet, bizneset prodhuese dhe financat publike.
Qeveria italiane, sipas raportimeve të mediave të huaja, ka vënë në dispozicion më shumë se 60 milionë euro për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve.
Meloni kujtoi gjithashtu se çështja është ngritur më herët nga ministri i Financave, Giancarlo Giorgetti, gjatë takimit të ministrave të Ekonomisë dhe Financave të Bashkimit Evropian, në kuadër të mbledhjes së Ecofin.
Kryeministrja bëri të ditur se do ta paraqesë sërish shqetësimin në mbledhjen e Këshillit Evropian, të planifikuar për të enjten dhe të premten, duke kërkuar një përgjigje të koordinuar mes vendeve anëtare për të kufizuar ndikimin e krizës energjetike në ekonomi.
Sipas saj, ndërhyrja në nivel evropian është e nevojshme për të frenuar kostot e energjisë dhe për të parandaluar që rritja e çmimeve të rëndojë më tej familjet dhe sektorin prodhues.


