Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u vlerësua në mjediset e Senatit Italian me çmimin “Luani i Artë për Merita”.
Ky çmim iu akordua me vendim të Komitetit të Luanit të Artë të Venecias, dhe ju dorëza ditën e sotme.
“I nderuar të marr sot, në ambientet e Senatit të Republikës Italiane, çmimin “Luani i Artë për Merita”, akorduar nga Komiteti i Luanit të Artë të Venecias për kontributin jetësor. Një vlerësim që përmbledh një rrugëtim angazhimi, nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990 te shërbimi publik, dhe që e ndaj me mirënjohje me familjen time, kolegët dhe ekipin, si dhe me artistët, profesionistët e kulturës e turizmit dhe sportistët e kampionët tanë, që e përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet kudo në botë”, u shpreh ministri Gonxhja.
Më tej, ai ka përmendur lidhjet shekullore Shqipëri-Itali, të cilat vijojnë përmes arbëreshëve dhe bashkatdhetarëve që kanë ndërtuar jetën e tyre në vendin fqinj.
Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të reja mes institucioneve, artistëve dhe mbështetjes për talentet e rinj, si hapa konkretë për ta forcuar më tej lidhjen mes dy vendeve.
Ky vlerësim, shtoi më tej Ministri, është meritë edhe e punës, kontributit dhe angazhimit edhe të artistëve, profesionistëve të kulturës dhe turizmit, duke shprehu bindjen se ky çmim do të shërbejë si një përgjegjësi e shtuar për të çuar përpara të tjera punë e projekte të rëndësishme në sektorët që MTKS mbulon.
Në ceremoninë e sotme u nderuan personalitete nga diplomacia, institucionet publike, mjekësia, bota akademike, drejtësia, arti dhe kultura, si dhe përfaqësues të fushave të tjera profesionale. Mes tyre ishin edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri Lani, në një aktivitet me përfaqësim të gjerë institucional dhe shoqëror.
“Luani i Artë për Merita” është një vlerësim i Gran Premio Internazionale di Venezia, i cili u akordohet personaliteteve që janë dalluar për kontributin e tyre në art, kulturë, shkencë, ekonomi, sport dhe veprimtari shoqërore, përmes ceremonive të organizuara gjatë vitit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje