Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e ndodhur mëngjesin e kësaj së hëne në Elbasan, ku disa persona të maskuar si efektivë policie kanë hyrë në banesën e një familjeje dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë 30 mijë euro.
I zoti i shtëpisë, Lorenc Zerellari, ka rrëfyer në një intervistë për Syri TV tmerrin që përjetoi gjatë grabitjes, e cila ndodhi në prani të familjarëve, mes tyre edhe fëmijëve. Sipas tij, grabitësit kanë mbërritur me dy automjete që ngjanin me makinat e Policisë, ndërsa personat që zbritën prej tyre ishin të veshur me uniforma policie, të maskuar dhe të pajisur me pranga.
Ata i kanë kërkuar Zelellarit t'u tregonte se ku i mbante paratë, si dhe nëse kishte armë pa leje apo lëndë narkotike në banesë. Për t'i bindur familjarët se ishin punonjës policie, autorët janë prezantuar si efektivë të Policisë së Shtetit.
"Ishin me uniforma policie, të maskuar dhe me pranga. Këto që kanë ardhur kanë ardhur me spiunllëk. Kam punuar në të zezë, edhe policia më tha pse ti me gjithë këto para. 30 mijë euro i kam siguruar nga puna jashtë. Nënës sime i ka rënë 4 herë të fikët’" u shpreh viktima, Lorenc Zerellari.
