Vlora Çitaku, sekretare e PDK-së, u përgjigj të shtunës komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, duke theksuar se shqetësimi i saj duhet drejtuar drejt procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës, e jo ndaj ligjeve që i miraton Kuvendi i Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas një postimi në Facebook, Çitaku deklaroi se askujt nuk i qëndron larg drejtësisë – anasjelltas, objektivi është rikthimi i procesit në rrugën e ligjit, sigurimi i një gjyqim të drejtë dhe ruajtja e të drejtave themelore.
Ajo theksoi se Gjykata Speciale u krijua me qëllim pastrimin e një njolle nga historia shqiptare të Kosovës – akuzat për trafik organesh të ngritura nga raporti i Dick Marty-t – dhe jo për ta ngarkuar vendin me një akuzë të re, siç është ajo e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që godet karakterin çlirimtar të luftës.
Sipas saj, Kosova nuk ka thyer asnjë angazhim ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa Gjykata Speciale do të vazhdojë funksionin e saj. Debati mbi ndryshimet ligjore, shtoi ajo, nuk është shmangie nga drejtësia, por kërkesë që procedurat të përputhen me parimet e drejtësisë dhe të drejtat e njeriut.
Çitaku citoi edhe raportin e Komitetit të Barrit për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), i cili ka dokumentuar shkelje në këtë proces – shqetësime që, sipas saj, kërkojnë trajtim serioz.
Ajo u referua edhe vendimit KSC-CC-2022, paragrafi 83, i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, ku njihet e drejta e Kuvendit për të kufizuar me ligj juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Gjithashtu, përmendi deklarimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se Kosova ka të drejtë të vendosë për ndryshimet ligjore – çka, sipas Çitakut, tregon mungesë koherence brenda Komisionit Evropian.
“Kuvendi ka të drejtë e përgjegjësi ta ushtrojë mandatin kushtetues dhe ligjor. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe janë të detyruar ta mbrojnë interesin e qytetarëve, të vërtetën dhe drejtësinë”, theksoi ajo.
Çitaku rikujtoi se NATO dhe BE kanë qenë aleatë të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë, partneritet që vlerësohet thellë, me besim se dialogu dhe respekti i ndërsjellë janë rruga përpara.
Ajo përfundoi duke thënë se dyert e Kuvendit janë të hapura për dialog dhe eliminim të çdo keqkuptimi: “Ne nuk kërkojmë privilegje apo ikje nga drejtësia. Kërkojmë drejtësi reale, respekt të të drejtave të njeriut dhe një proces që nuk e dëmton të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Drejtësia dhe aleanca nuk përjashtojnë njëra-tjetrën – drejtësia është vetë themeli i besimit.”






