Ministri i Brendshëm i Serbisë dhe njëherazi zëvendëskryeministri, Ivica Daçiç, ka përsëritur pretendimet politike të Beogradit ndaj Kosovës, duke deklaruar se flamuri serb do të valëvitet sërish në Prizren. Gjatë një tubimi elektoral në Beograd, ai pretendoi se qyteti kishte qenë kryeqyteti i parë serb rreth tetë shekuj më parë.
Daçiç iu përgjigj kritikave që, sipas tij, i kishte bërë ish-ministri gjerman Michael Roth për deklaratën e tij rreth flamurit serb në Prizren.
“Ai tha: Si guxon Daçiç të thotë diçka të tillë? Epo, unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e Metohinë i kemi mbrojtur me luftë”, deklaroi politikani serb.
Daçiç, i cili tha se ka lindur në Prizren, foli edhe për numrin e serbëve që jetojnë aktualisht në qytet, duke e krahasuar atë me periudha të mëparshme. Ai pretendoi se sot atje jetojnë pak më shumë se 20 serbë, ndërsa rreth 30 vjet më parë numri i tyre kalonte 10 mijë.
“E sidomos unë guxoj ta them këtë, sepse kam lindur në Prizren, ku sot jetojnë më shumë se 20 serbë. Tridhjetë vjet më parë, atje jetonin më shumë se 10.000 prej tyre. Dhe tetë shekuj më parë, aty ndodhej kryeqyteti i parë serb. Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Ne pritëm katër shekuj e gjysmë dhe e shenjtëruam Kosovën me në Kumanovë”, u shpreh ai.
Gjatë fjalimit, Daçiç e cilësoi Kosovën dhe Metohinë si pjesë të pandashme të Serbisë, duke theksuar se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kjo çështje. Ai vlerësoi gjithashtu ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç, të cilit i atribuoi rikthimin e krenarisë kombëtare serbe.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, të cilat i përshkroi si aleate të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
“Unë ndihmova më shumë se 20 vende të tërheqin njohjen e tyre për pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë. Nëse ne jemi faktor, do të vazhdojmë me atë politikë”, deklaroi Daçiç, duke pretenduar se edhe shtete të tjera mund ta tërheqin njohjen e Kosovës.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të fushatës politike në Serbi dhe rikonfirmojnë qëndrimin e Daçiçit kundër pavarësisë së Kosovës, si dhe synimin për të vijuar përpjekjet diplomatike për të kundërshtuar njohjen e saj ndërkombëtare.


