Rënia e euros godet kursimet e shqiptarëve/ Radonshiqi: Ja kush përfiton nga zhvlerësimi

Leku shqiptar po thyen rekorde globale duke u forcuar me rreth 32% kundrejt euros gjatë dhjetë viteve të fundit.
Por, pas këtij fenomeni fshihet një realitet me fitues dhe humbës të mëdhenj, ku qytetarët e thjeshtë dhe bizneset po përballen me pasoja të paparashikuara.
Ekspertja e Ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se një nga shkaqet kryesore të këtij zhvlerësimi të euros lidhet me sasinë e madhe të saj në tregun shqiptar.
Kjo, tha ajo, vjen si rezultat i investimeve të huaja, turizmit, remitancave, por edhe nga paratë e ekonomisë informale dhe korrupsionit. Përdorimi i gjerë i euros nga qytetarët për blerje të përditshme në supermarkete apo dyqane lagjesh e ka rritur edhe më shumë praninë e monedhës evropiane jashtë kanaleve zyrtare bankare.
Sipas Romina Radonshiqit, në anën e humbësve pozicionohen së pari eksportuesit dhe bizneset fason, produktet e të cilëve po humbasin konkurrencën në tregjet e huaja. Një goditje të rëndë kanë marrë edhe familjet shqiptare dhe pensionistët që mbahen me dërgesat e emigrantëve.
Rënia e euros, sipas pedagoges Radonshiqi do të thotë që të ardhurat e tyre konvertohen në më pak lekë, duke i detyruar emigrantët të dërgojnë shuma më të mëdha për të mbuluar shpenzimet bazë të familjarëve. Gjithashtu, humbje të mëdha po pësojnë qytetarët që kanë mbajtur kursimet dhe depozitat e tyre në euro.
Nga ana tjetër, fituesi më i madh i kësaj situate është shteti, i cili e ka më të lehtë të shlyejë borxhin e jashtëm pasi vlera e tij bie. Fitues janë edhe importuesit, të cilët siç tha Romina Radonshiqi i blejnë mallrat më lirë në euro dhe i shesin me marzhe më të larta fitimi në lekë, ndonëse ky përfitim nuk është reflektuar aq sa duhet te xhepat e konsumatorëve për uljen e çmimeve të shportës. Të favorizuar janë edhe qytetarët që kanë kredi në euro, pasi tashmë paguajnë këste më të ulëta pas konvertimit nga leku.
Tregu i pasurive të patundshme dhe ai i automjeteve, i cili më parë operonte kryesisht në euro për shkak të një efekti psikologjik fitimi, tani ka filluar të zhvendoset drejt transaksioneve në lekë.
Ekspertja paralajmëroi se trendi i zhvlerësimit të euros do të vazhdojë, sidomos gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, për shkak të fluksit të turistëve dhe emigrantëve gjatë festave. Këshilla kryesore për qytetarët është që të menaxhojnë rrezikun duke i orientuar kursimet e tyre drejt monedhës vendase.
INTERVISTA
Pse kemi arritur në këtë situatë?
Romina Radonshiqi: Në fakt ne kemi disa arsye që kemi arritur, që disa janë arsye pozitive, disa janë arsye që nuk mund t'i konsiderojmë si pozitive por dhe negative jo, sepse në rastin e forcimit të monedhës vendase kemi humbës dhe fitues. Tani, në aspektin makro, çdo qeveri që ka forcim të monedhës vendase mburret që kemi rritje ekonomike, performancë të mirë e të tjerë e të tjerë. Megjithatë, ne duhet të kuptojmë që ky forcim i monedhës vendase ka ardhur si pasojë e rënies apo zhvlerësimit të monedhës euro, për shkak të sasisë së tepërt që ka euro në treg në Shqipëri. Së pari, për shkak të rritjes së investimeve të huaja. Së dyti, për shkak të rritjes së remitancave. Duhet t'i theksojmë remitancat. Remitancat janë dërgesat e emigrantëve, dhe të gjithë pensionistët që ne po na ndjekin e kuptojnë më së miri, sepse për shkak të niveleve të ulëta të pensionit që ato marrin, fëmijët e tyre apo të afërmit detyrohen të sjellin apo të rrisin dërgesat e tyre me qëllim që të mbulojnë pikërisht atë hendekun që konsiderohet në buxhetet e tyre familjare, pra buxheti i pensionistëve. Nga ana tjetër, kemi dhe shumë euro të cilat janë informale. Kur themi informale, mund të vijnë nga burime të dyshimta, që mund të jenë dhe burime korrupsioni. Ne kemi parë kohët e fundit, sidomos këto tre vitet e fundit, për shkak të luftës ndaj korrupsionit, organet e drejtësisë kanë zbuluar shumë afera korruptive, që dhe këto në fakt kanë rritur eurot le të themi në tregun tonë. Nga ana tjetër, janë dhe euro informale që nuk kanë burime as korrupsioni, as kriminale, por vijnë si pasojë e, le të themi për shembull, rasti i emigrantëve, vijnë emigrantët në sezon pushimesh, ato sjellin para për të afërmit e tyre, po këto janë euro informale që, le të themi, vetë Banka e Shqipërisë nuk i ka burime se nuk kalojnë në burime zyrtare, vijnë cash. Dhe një aspekt tjetër është fakti që ne shqiptarët, duke qenë se mjafton të kemi euro, pra një monedhë të huaj, mund të blejmë në rutinën tonë në markete apo qoftë dhe në dyqanin e lagjes, dhe kjo ka rritur pra sasinë e madhe të euros.
A shihet që gjithnjë e më tepër po përdoret euroja apo jo?
Romina Radonshiqi: Tani këtu ka dy problematika. Së pari, ka vende të zhvilluara të cilat nuk e lejojnë, për shembull, blerjen në markete apo madje deri në pagesën e strukturave akomoduese në monedhën e huaj, në rastin konkret në monedhën euro, siç mund të jetë Rumania për shembull, një shembull. Kështu që qeveria shqiptare, duke parë që euro përdoret kaq shumë, minimalisht mund të bëjë një, le të themi, kufizim të euros qoftë në përdorimin në mënyrë të rutinë që përdorim ne shqiptarët. Por kjo përsëri nuk është zgjidhje. Ne kemi parë që Banka e Shqipërisë ka tërhequr edhe ka rritur rezervën valutore, pra ka tërhequr mijëra euro nga tregu, por përsëri nuk ka pasur efekt, dhe nuk ka pasur efekt për sa kohë kemi një sasi të madhe eurosh, siç thashë pak më parë, që janë dhe informale, nuk kalojnë në burime zyrtare. Nga ana tjetër, çfarë ka bërë euro? Normalisht, me nënçmimin e euros, kjo na ka sjellë produktet eksportuese të jenë me çmime më të larta, jo konkurruese në treg. Kemi parë se si janë dëmtuar fasoneritë, kemi parë se janë dëmtuar dhe eksportuesit tanë.
Eksportuesit janë më të dëmtuarit në gjithë këtë situatë?
Romina Radonshiqi: Patjetër, eksportuesit e të gjithë ato të cilët kanë të ardhura në euro, që paguhen në euro, apo dhe vetë remitancat pra që vijnë në monedhën, kryesisht vijnë në monedhën euro. Kush janë fituesit? Është shteti. Pse? Ka ulur borxhin e jashtëm për shkak sepse të ardhurat janë në monedhën vendase, ndërkohë që borxhi i jashtëm, një pjesë e saj pra është në monedhën euro. Por duhet të theksojmë që monedha euro, pra forcimi i monedhës vendase pra i lekut, si pasojë e nënçmimit të euros ka sjellë dhe një aspekt pozitiv deri diku, që është mbajtja e çmimeve nën kontroll. Megjithatë, përsëri dhe ne ekspertët e ekonomisë, në fakt, jemi deri diku edhe themi edhe ok, ka sjellë një lloj lehtësie në inflacion, por nga ana tjetër ndoshta mund të kishte qenë impakti më i madh, jo mund të kishte qenë, por duhet të kishte qenë ndër vite impakti më i madh në uljen e çmimeve, sidomos të produkteve të shportës pra. Për shkak se kemi një nënçmim të vazhdueshëm të euros. Nga ana tjetër, mendoj që fitues të tjerë janë të gjithë ata të cilët merren me tregti importi, pasi ato kanë rritur marzhet e fitimit, duke qenë se produktet këtu vijnë me, pra në momentin që importohen janë me monedhën euro dhe kur shiten në treg pra shiten me monedhën vendase pra në lekë.
Po sa i takon kredive të cilat janë në euro?
Romina Radonshiqi: Ato familjare apo ata konsumatorë, ato biznese të cilët kanë kredi...
Pra që kanë zgjedhur të marrin një kredi në euro...
Romina Radonshiqi: Kanë marrë kredi në euro, shumë kohë përpara se të ishte një nënçmim i euros, atëherë ato patjetër që kanë dalë të fituar, sepse të ardhurat i kanë në monedhën vendase pra në lek, dhe kur konvertohen në euro atyre i bie që qytetarët shqiptarë të paguajnë më pak. Megjithatë, banka në vitet e fundit ka filluar të menaxhojë dhe riskun e kursit të këmbimit sikurse dhe shumë kufizime, madje shohim dhe një tendencë për shembull nga konsumatorët shqiptarë të cilët ato që kanë depozituar paratë e tyre, kursimet e tyre në euro, ato patjetër që janë humbës sepse vlera... vërtetë janë në euro por nëse i konvertojnë në lek, vjen në rënie. Dhe shohim që kemi një rënie të depozitave në euro, që dhe qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar që duhet të jenë shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e valutës, pasi duhet të menaxhojnë dhe ato riskun. Le të themi që çështja e monedhës, dikur euro shikohej si një monedhë që krijonte besim më pranë Evropës, një mënyrë për të kursyer dhe të mbeteshin le të themi kursime të cilat nuk do të konvertoheshin, ndërkohë që sot dhe konsumatorët shqiptarë, qytetarët shqiptarë, janë bërë le të themi më racional, duke rritur kursimet e tyre në depozita pra në lek, pasi kemi një forcim të monedhës vendase pra të lekut.
Tani duket sikur ka ndryshuar, pra tani kanë kaluar sërish tek leku, apo jo?
Romina Radonshiqi: Po, është e vërtetë, në fakt edhe unë kam, madje dhe ato të cilët kryejnë shërbime për shembull projekte arkitektonike apo inxhinierike, shpeshherë punonin në euro, dhe unë mua për kuriozitet kam bërë pyetjen që 'cila është arsyeja që punoni në euro dhe jo në lek?', dhe një nga arsyet kur euro ishte mbi 1, ishte që, një efekt psikologjik, duket sikur është një me një ndërkohë që s'është një me një, ne japim çmimin në euro dhe fitojmë më shumë. Dhe ka qenë një efekt psikologjik, ndërkohë që tashmë dhe pasuritë e patundshme sikurse thatë ju, mund të shiten në euro, por në përgjithësi kanë filluar të shiten dhe në lek, por rriten, është rritur çmimi.
Çfarë do të ndodhë me këtë trend?
Romina Radonshiqi: Atëherë, për të gjithë ata të cilët duan të kenë kursime në euro duhet të jenë tepër të kujdesshëm, sepse jemi në muajin tetor tani, por muaji nëntor, fundi i muajit nëntor dhe dhjetor do të sjellin përsëri, mendoj unë, një nënçmim të euros. Pse? Sepse do të kemi përsëri flukse turistësh. Ne e shohim që Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithëvjetor.
Sidomos tani, e lidhur vërtetë edhe me festat e nëntorit, kanë atë shtypjen shumë shqiptarë që zgjedhin të vijnë, po?
Romina Radonshiqi: Absolutisht. Dhe do sjellin dhe para më tepër emigrantët, për shkak dhe të festave të nëntorit por dhe të dhjetorit, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, kursimet mos t'i mbajmë në euro, t'i mbajmë në monedhën vendase, të menaxhojmë riskun dhe...
Tani duhet filluar edhe menaxhimi i parasë edhe për arsye të tjera, apo jo?
Romina Radonshiqi: Po absolutisht, sepse ne në fakt de juro kemi vetëm monedhën vendase pra lekun, por ama de fakto ne ecim paralelisht me dy monedha, euro dhe lekun.
Ndërkohë presim të njëjtin trend edhe për ndoshta gjashtëmujorin e parë të 2027? Pra çfarë na thonë shifrat në aspektin ekonomik për këtë?
Romina Radonshiqi: Në fakt shikohet një tendencë që do të kemi një rritje të zhvillimit të turizmit, do të kemi dhe rritje të investimeve të huaja.
Pra dhe leku do forcohet?
Romina Radonshiqi: Atëherë, leku do të vazhdojë akoma më i forcuar, shpresoj që kjo të përkthehet në ulje çmimesh, duke qenë se kemi varësi nga importi. Për të gjithë ata pensionistë që i marrin pra dërgesa nga fëmijët e tyre në euro, është një lajm i keq, do të duhet që fëmijët të shtojnë pra eurot, ose pensionistët t'i konvertojnë ato në më pak lekë dhe të mirëmenaxhojnë ato pak para si sikurse do të konvertohen.
Mendon se do të ketë rezultat pasqyra e çmimeve, platforma e prezantuar nga kryeministri Edi Rama për uljen e çmimeve të produkteve?
Romina Radonshiqi: Mendoj që do të jetë një efekt psikologjik, uroj që të monitorohet mirë nga shteti sepse nëse do të kemi një monitorim, do të ketë një ulje të lehtë të çmimeve, nuk po them se do të kemi një ulje të madhe por...
Nisma "Kurse"? 325 artikuj me ulje deri në 40%...
Romina Radonshiqi: Atëherë ka dhe tendenca për disa produkte që vetë supermarketet i shesin me marzhe fitimi tepër të ulëta ose pa marzhe fitimi që do të ndikojë te grupet vulnerabël, uroj të realizohet, si nismë është pozitive.


