AKTUALITET /

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në

Ajo paralajmëroi se vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos ndërmarrin hapa që cenojnë standardet e sundimit të ligjit.

Shkruar nga Versus

Kos: Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kundërshtuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe në kundërshtim me detyrimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian.

Duke folur më 12 tetor, përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos theksoi se ndryshimi i rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Kos.

Ajo paralajmëroi se vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos ndërmarrin hapa që cenojnë standardet e sundimit të ligjit.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, u shpreh komisionerja evropiane.

Deklarata e saj vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi javën e kaluar ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale.

Ndryshimet u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, pesë ditë pas vendimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan me gjithsej 81 vjet burgim ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për krime lufte. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm gjatë procesit gjyqësor./Versus.al

 

Poll