Partia Socialiste ka kërkuar ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Territoriale. Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa synimi është që reforma të mos ndalet vetëm te ndryshimi i hartës së bashkive, por të përfshijë edhe mënyrën se si ato funksionojnë.
Në këtë fazë parashikohet rishikimi i kompetencave të bashkive, përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe ndryshimi i kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore. Në fokus do të jenë edhe financat e pushtetit vendor, përfshirë hartimin e një formule të re për shpërndarjen e transfertave financiare nga buxheti i shtetit, si dhe organizimi i zhvillimit rajonal.
Komisioni i propozuar nga socialistët do të përbëhet nga 16 anëtarë dhe do të ketë një mandat nëntëmujor, me mundësi zgjatje me vendim të Kuvendit. Gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe masat që duhet të merren për funksionimin e bashkive të reja.
Sipas kërkesës së PS-së, puna duhet të përfundojë në kohë, në mënyrë që ndryshimet të jenë gati për zbatim pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Procesi parashikon edhe konsultime me bashkitë, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtare. Megjithatë, nisma pritet të vijojë pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike. Opozita ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e komisionit me argumentin se kërkesat e saj gjatë fazës së parë të Reformës Territoriale nuk u morën parasysh nga mazhoranca.
