Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian po përballen me kundërshtime nga disa shtete anëtare. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka refuzuar kompromisin e ri të paraqitur nga presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, duke kërkuar shkurtime më të mëdha të shpenzimeve.
“Shuma e parashikuar në propozimin e ri nuk përbën bazë për një marrëveshje”, deklaroi Merz, duke shprehur pakënaqësinë e Berlinit ndaj planit për buxhetin e periudhës 2028–2034.
Propozimi fillestar i Komisionit Evropian parashikonte një buxhet prej rreth dy trilionë eurosh. Presidenca irlandeze ka propozuar uljen e kësaj shume, me synimin për të kursyer rreth 140 miliardë euro, ose afërsisht 8 për qind të vlerës fillestare.
Megjithatë, për Gjermaninë, kjo ulje nuk është e mjaftueshme. Merz ka kërkuar reduktimin e buxhetit me qindra miliarda euro, një qëndrim që mbështetet edhe nga Holanda, Suedia dhe Austria. Këto vende bëjnë pjesë në grupin e shteteve neto-paguese, të cilat kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin prej tij.
Edhe Suedia dhe Austria e kanë kundërshtuar propozimin irlandez. Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer, deklaroi se plani është ende shumë larg marrjes së miratimit nga Vjena. Sipas saj, nëntë vendet neto-paguese financojnë aktualisht rreth 60 për qind të buxhetit të Bashkimit Evropian dhe nuk mund t’u kërkohet më shumë taksapaguesve të tyre.
“Buxheti i BE-së duhet të jetë i përballueshëm për ata që mbajnë barrën kryesore të financimit”, theksoi Merz. Ai shtoi se prioritizimi dhe modernizimi i buxhetit evropian është një detyrë e përbashkët për të gjitha shtetet anëtare.
Përplasjet lidhen edhe me mënyrën se si do të shpërndahen fondet. Presidenca irlandeze ka propozuar shkurtime veçanërisht në disa prej fushave që Gjermania kërkon të forcojë, si konkurrueshmëria, kërkimi shkencor dhe mbrojtja.
Ndërkohë, fondet tradicionalisht të konsiderueshme për bujqësinë dhe politikën e zhvillimit rajonal janë prekur më pak. Kjo politikë synon të ngushtojë dallimet ekonomike dhe sociale mes rajoneve evropiane, duke përfituar veçanërisht vendet më të varfra të Bashkimit. Pothuajse të paprekura kanë mbetur edhe fondet për migracionin, mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë e brendshme.
Kritika ndaj propozimit kanë ardhur edhe nga Parlamenti Evropian, por për arsye të kundërta me ato të vendeve neto-paguese. Negociatorët e Parlamentit për Kornizën Financiare Shumëvjeçare, nga Partia Popullore Evropiane dhe socialdemokratët, vlerësojnë se plani irlandez nuk mund të shërbejë si pikënisje për një marrëveshje.
Sipas tyre, një shkurtim prej 8 për qind krahasuar me propozimin e Komisionit Evropian, i cili gjithsesi e mban buxhetin në nivelin e periudhës aktuale, do të dobësonte aftësinë e Bashkimit për të përballuar sfidat e ardhshme.
Parlamenti argumenton se Evropa ka nevojë për më shumë investime në konkurrueshmëri, mbrojtje dhe siguri, çka e bën edhe më të vështirë arritjen e një kompromisi mes kërkesës për kursime dhe nevojës për financim më të madh në sektorët strategjikë.
Negociatat për buxhetin e ri do të vijojnë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në Bruksel, të planifikuar për të enjten. Korniza financiare shumëvjeçare përcakton burimet dhe prioritetet e shpenzimeve të Bashkimit Evropian për vitet 2028–2034.
Fillimisht, shtetet anëtare synonin të arrinin një marrëveshje deri në fund të vitit, edhe për të shmangur përplasjet politike që mund të sjellin zgjedhjet presidenciale dhe ndryshimet e mundshme qeveritare në Francë. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë, të planifikuara për në nëntor, pritet ta vështirësojnë më tej arritjen e këtij objektivi, i cili konsiderohet ambicioz që tani.
#BashkimiEvropian #BE #FriedrichMerz #BuxhetiIEuropës #Gjermania #Ekonomia #PolitikaEvropiane #Bruksel


