Futbollit shqiptar i duhen vetëm pak javë për të rikthyer një skenar të njohur: trajnerë që i lëhen në shteg skuadrave dhe presidentë që pa hezituar shtypin butonin e shkarkimit. Sezonet e fundit e kanë shndërruar këtë gjest në një zakon të vjetër të Superiores, të nxitur nga kërkesa për rezultate të menjëhershme dhe nga emërimet e gabuara, të cilat e hedhin teknikun në syzat e kritikave – nga tifozët, po ashtu dhe nga mbarë opinioni publik sportiv. Kështu ata mbeten “kurbanë” të presidentëve, të cilët nga ana e tyre e njohin mirë koston sa herë që gabojnë te zgjedhjet për stol, pikërisht kur tekniku nuk e ka shpërblyer dot besimin që i është dhënë.
Të lidhura
None found
Episodi i ri u shënua sot, kur Partizani ndau rrugët me Florin Bratun. Tekniku mori njoftimin e largimit nga drejtimi i të kuqve, vendim që e ka lënë skuadrën në “kaos” pas gjashtë javëve të kampionatit dhe që e vendos Bratun si trajnerin e dytë të larguar në elitën shqiptare për këtë sezon të ri.
Para tij të njëjtin fat e kishte kapur Edi Martini, i cili u nda nga Vllaznia pasi klubi shkodran i komunikoi zyrtarisht shkarkimin, me arsyetimin e rezultateve negative në pesë javët e fundit.
Së kaluara flet me zë të qartë: trajnerët në futbollin tonë kanë mbajtur rrallë herë posto për një periudhë të gjatë, me përjashtime shumë të pakta. U duhet kohë për të punuar, por ajo shpesh nuk u shkon në favor pikërisht në momentet kur u duhet më shumë. Besimi duhet të jetë themeeli i çdo bashkëpunimi, ndërsa vetëm koha mund të vlerësojë me drejtësi punën e një trajneri. Sido që të jetë, në realitetin e futbollit vendas këto dy gjëra mezi gjejnë njëra-tjetrën, sepse në fund çdo gjë matet me rezultatin.






