
Romani “Myzeqari” i Andrea Likos i zhvillon ngjarjet në atë zonë të Myzeqesë, e cila kufizohet nga manastiri i Ardenicës dhe Baba Tomori, aty ku Eqerem bej Vlora në ditarin “Nga Berati në Tomor e kthim” përmend tyrben e Kulmakut, ku më 22 mars bënin rituale së bashku si myslimanët dhe ordhodoksit. Madje në libër ka dhe një tabelë ku tregon se në të gjithë Myzeqenë, ky ishte trualli ku kish më shumë kaurë. (Në kisha mësohej shqip. Madje një hafije e zbuloi këtë, kur pa të hynin në kishë dhe fëmijë myslimanë.) Nuk mund të mos tërheqin vëmendje emrat e personazhëve, si: mbiemri Muzaka, emrat Angjelina, Teodor, Urani, Gjon, Pal, Maria, Marga, etj. Po të shohësh varrezat e vjetra të fshatrave, pranë kishave, do shohësh emrat, që vijnë nga kohëra të largëta. Figura e muzeqarit ka qenë nga më të paragjykuarat, sikurse e trajtuar me skematizëm. Autori, jo më kot ia ka vënë titullin romanit “Myzeqari”, për të krijuar një perceptim sa më real për të. Veshjen lala e kishte merak, sidomos kur shkonte në ndonjë qytet. “Myzeqari ashtë i keqtrajtumi i madh dhe i shfrytëzumi, por kurrë i keqpërdorun. Kurrë myzeqari nuk ka kenë kopaçe në duart e komandave për me godit të tjerët, përkundrazi qeveria ka nis të tjerë për me goditë myzeqarin.”-shkprehet një nga personazhet e romanit. (Kur në Lushnje u dha dramatizimi i “Lumit të vdekur” i Jakov Xoxes, veteranët ishin ankuar në komitet të partisë për figurën e Koz Dynjasë, të cilit beu i hipën në kurriz për të gjuajtur rosa. Instruktorja, që mbulonte kulturën, ishte e shqetësuar dhe më kërkon mendim. Koz Dynjaja, i thashë, po të mos e hidhte beun, atëherë po, ata që ankohen do kishin të drejtë.”M`u kujtua dhe një shkrim i Kadaresë për Semanin, ku një tjetër myzeqar, mbante mbi shpinë bejlereshat për të kaluar vaun e lumit. Nëse domenstrata e bukës ndodhi në Korçë, kryngritja kundër tiranisë ndodhi në Fier.) “Njerëzit nuk bëjnë zarare, shikojnë punën e tyre... Ka shkuar ndonjë nga ne maleve, qoftë dhe për t`u fshehur?”-vjen si përgjigje dhe ky qendrim i autorit në roman. (Kalaja e Bashtovës në fushë, sfidon dhe idenë e “kështjellës në rërë”.) Nga malet dhe krahinat e tjera zbresin në Myzeqe për ta zaptuar toka. Me interes janë raportet e zaptuesit me vendalinjtë. Vijnë njerëz të rinj, të ardhur për hall e për kusure, sidomos familje që kishin rënë në gjak, se është toka të jepë ca shpresë, sikurse bujku i beut të Klisyrës, Mahmud beut, që vjen të dimërojë delet në fushë. “Lëshimet e Portës së Lartë i kishin nxitur disa bejlerë nga Libohova, nga Berati e Elbasani që të zaptonin toka në Myzeqe. Beu i madh i Klisyrës nuk mund të mbetej pas.”-shkruan autori. (Toka që në kohën e Turqisë zaptohej, si fenomen i përsëritur shfaqet “toka e xanum”.) Në Myzeqe shpejtuan të zaptojnë toka e pyje bejlerë nga Jugu dhe Lindja e vendit, dhe asnjëri lushnjar, si Resulët apo Karaosmanët nga Elbasani, Libohovët e të tjerë nga Gjirokastra, Fugët, Vokopolët, Rulët, familja Mullaj nga Berati, asnjë myzeqar, sepse ata ishin të krishterë dhe nuk mund të ishin pjesë e hierarkisë ushtarake, në radhë të parë e, për pasojë pastaj, as pronarë që të meritonin titullin bej, pa le pasha. Sikurse shihet, ata që ndërruan fe, ishin ta avantazhuar. Ndoshta këtu duhet kërkuar arsyeja, që myzeqari si shtresë shoqërore mbeti tek hyzmeqari, ndërkohë që ai ishte në tokën e tij dhe gjithë të ardhurit mbanin pozitat e sundimtarit. Të gjithë bejlerët, me vendosjen e regjimit komunist, u ndëshkuan si shtypës të vegjëlisë. Edhe pse vendi ishte ateist dhe në krye të vendit kishte Hoxhë, Sheh e Myfti, hyzmeqarët duke ardhur në pushtet, iu gëzuan të parët tapisë së tokës, sikurse demonstruan “pushtetin popullor”. Hakmarrja ndaj zaptuesëve të tokave u fsheh pas luftës së klasave. “-Nuk është fjala vetëm për tokën dhe vathën e deleve, o lalë Ndini. Beu im do që unë të ngulem këtu me gjithë shtëpi, të bëhem njëri nga ju, me një fjalë.” Dhe, Semin Tiko, ngre sarajet në Myzeqe. “Si ikën miqtë, i ardhuri afroi një dru si fron tek pragu i derës hyrëse, pastaj shkoi brenda. Mori thikën e madhe dhe në trarin e shtëpisë gdhendi datën 29.3.1825. Në kronikë, kjo është shënuar me shkronja të mëdha... Aq shumë tokë kishin kapur në vazhdim pronarët nga Klisyra, Hysen beu, i biri i Mahmudit, i biri i tij Ahmeti, ose Mehmeti, e me radhë, sa në regjistrat më të fundit, të 1945-ës, kur u bë konfiskimi i pronave të mëdha, një zonjë me emrin Nafie Klisyra, që thuhet se ka qenë grua e dytë e Ali beut, vetëm në Rudaj del me mbi dyqind e pesëdhjetë hektarë, gati njëqind e tridhjetë herë më shumë nga sa shënoi Semin Tiko më 1825-ën.” E përmenda këtë fakt, për të treguar, se sa e ngatërruar është historia e pronave në Shqipëri.
Që i buti nuk është i nënshtruar e dëshmon dhe ky episod: “Urania me të ëmën po ktheheshin nga kisha e re e Shën Gjergjit, kur në rrugicën e shkretë të shtëpisë nepsmadhi u doli përpara hipur në kalë. Ai goditi kafshën që të rrëzonte plakën dhe vetë u përkul të kapte Uraninë. Por ra vet nga kali si thes lëmizhdesh. Leksi e qëlloi fort pas kokës me një gur nga ata të varrezave dhe duket që e bëri gati për në atë botë. Askush nuk i pa.” Dhe e gjithë kjo skenë nderi, mbyllet me një urtësi myzeqare: “Qeni i botës vjen për zarar në oborrin tënd.” Në roman ka personazhe interesante , sikurse Liçi i dajës, siç e njihnin të gjithë. “Ky ishte një bashkëfshatar i tyre, me mendje normale, me shtëpi e vëllazëri, po nuk rrinte me ata, bridhte ku të mund. Gjente vezë e pula të botës, i piqte e i hante në pyll, aty kalonte edhe më të shumtën e kohës. Edhe pa e njohur asfare doktrinën e hipive, Liçi i dajës duhet të ketë qenë i tillë, me origjinalitetin e vet.” Midis të ardhurve shfaqen dhe të huaj, sikurse francezi Matias Godard, ose Mati, i cili kishte dëshirë, që të shkonte krushk për të marrë nusen. Në tërë Myzeqenë e hershme, Gurrëzi ishte i vetmi që u themelua si një fshat mysliman, i cili e mori shkëlqimin me nguljen aty të fisit të Kurt Pashës. (Manastririn e Ardenicës e ruante një mysliman.) Sikurse: “Pusi i Abaz beut po përdoret dhe tani pas 200 vitesh.” Sofra myzeqare ka vend për të gjithë e dëshmuar kjo dhe në Kongresin e Lushnjes.
Lini një Përgjigje