
Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e 29-vjeçarit në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 11 tetor. Për krimin dyshohet babai i viktimës, 53 vjeç, i cili vijon të jetë në arrati.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20, ndërsa motivi i vrasjes ende nuk dihet.
Gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar tri pushkë gjuetie, të cilat rezultonin me leje të skaduara.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë së trupit të viktimës, ndërsa hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe lokalizimin e të dyshuarit.
Një tjetër detaj i bërë publik nga Prokuroria është se as 29-vjeçari dhe as babai i tij, i dyshuar për vrasjen, nuk kanë pasur të kaluar kriminale. Gjithashtu, ndaj asnjërit prej tyre nuk ka pasur raste të raportuara të dhunës në familje.
Motivi i krimit mbetet ende i paqartë, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen e 53-vjeçarit.
Familja Arifi ka njoftuar se Bajram Arifi, 29-vjeçari që u vra dje në fshatin Pogragjë të Gjilanit, do të varroset nesër, të martën, më 13 tetor.
“Familjarë e miq të nderuar, ju njoftojmë se varrimi i më të dashurit tonë, Bajram Arifi, do të bëhet ditën e martë, më 13.10.2026, me drekë në varrezat e fshatit Pogragjë”, thuhet në njoftimin e familjes.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim policor./Versus.al

