Përse Vuçiqit i duhen shqiptarët armiq, sa herë ka zgjedhje ?

12 Tetor 2026, 18:30Blog TEMA
Përse Vuçiqit i duhen shqiptarët armiq, sa herë ka

Nga Leonidha Mërtiri
 
Aleksandar Vuçiç, kandidati i Partisë Progresive Serbe(SNS), duket i vendosur në fitoren e partisë së tij jetëgjatë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit. “Ish” dhe “është”, foljet më të përdorshme për të, krijojnë të plotë fizionominë e tij politike. Pasi hoqi dorë nga Partia Radikale Serbe, sekretar i përgjithshëm i së cilës ishte, në vitin 2008 u bë krijuesi më i rëndësishëm i Partisë aktuale, Partia Progresive Serbe, duke qënë për pak kohë numëri dy i saj dhe shumë shpejt, me zgjedhjet e parakohshme në këtë parti, u ngjit në krye, parti që ka dominuar skenën serbe gjatë këtyre viteve.

Dorëheqja si president, pas gati dhjetë vjetësh, ishte jo pa objektiv të ri: për t’i hapur rrugë rikthimit, tashmë si kryeministër, funksion që e mbajti për rreth katër vjetë, kur do të ulej ne kolltukun e presidentit pas posteve të ndryshme ministrore.

A do t’i vinë për shtat serbët dëshirës së sundimtarit autokrat?

Protestat prej rreth dy vjetësh të studentëve dhe pedagogëve universitarë, në përgjigje të humbjes së jetës së 16 qytetarëve në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në Vojvodinë, nuk ishin pa telashe për menaxhimin e situatës. Shkaqet e kësaj tragjedie studentët i shihnin te korrupsioni në pushtet, ndaj zgjidhja kërkohej në zgjedhjet e parakohshme, në humbjen e partisë së Vuçiçit dhe pushtetit të tij. Këto protesta bënë një – nacionalistët e njohur dhe përkrahësit e liberalëve, pavarësisht kërcënimeve të herëpashershme të Aleksandar Vuçiç, se përgjigja do të ishte e ashpër për të kthyer paqen dhe qetësinë.
A do të vazhdojë Serbia nën autokracinë e Vuçiçit apo do të mbështesë më tej studentët, të cilët, sipas disa sondazheve të fundit, nuk kanë ndonjë dallim të ndjeshëm. Ndërkohë, tensionet midis këtyre palëve, ditët e fundit janë rritur.

Vuçiç, si mjeshtër i propagandës, si ish ministër i saj në qeverisjen e ustait të tij, Millosheviçit, di ta prezantojë veten edhe më me forcë në këto momente, sikurse pohon: si njeriu që i ka shërbyer me besnikëri Serbisë dhe se për të ka bërë punën më të ndershme në botë. Edhe më tej, nuk druhet nga vetëmburrjet, të cilat aparati i deritanishëm politik i tij u jep më shumë jetë përmes atyre mjeteve të informacionit që vazhdimisht kanë ushqyer qeverisjen e njohur autokratike.

Për Vuçiçin  dhe partinë e tij, si dhe aleatët e kësaj të fundit, një kartë e rëndësishme për përfitim politik luhet prej tyre: Kosova. Ajo është e pranishme në tërë këtë propagandë, e veshur me kostumin e zakonshëm, sikurse ka qënë dhe është, sidomos në raste të tilla. Betohen dhe stërbetohen ndaj saj, si “pjesë e patjetërsueshme dhe integrale e shtetit serb”, duke hedhur pas krahëve verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe jo vetëm nga një palë, por në rastin konkret edhe nga studentët dhe zëra të tjerë, duke qënë në themel të retorikave të tyre, pa iu ndarë nacionalizmit agresiv serb. Tezat e Memorandumit të famshëm, i njohur si Memorandumi SANY-1986(Serpska Akademia Nauka i Umetnosti- Akademia Serbe e Shkencës dhe Arteve), vazhdojnë të fanepsen jo papritur, për të ushqyer më tej zgjedhësit e tyre. Ivica Daçiç, ministër i brendshëm, ish kryeministër dhe në poste të tjera të larta qeveritare, në sintoni me Aleksandar Vuçiç, copy-paste të qëndrimeve të njëri- tjetrit kur është fjala për Kosovën, në një tubim elektoral në Serbi të ditëve të fundit deklaroi se “një ditë flamuri serb do të valvitet në Kosovë”. Dhe e tërë kjo vishet me “detyrimin për të respektuar gjithçka që bëri Slobodan Millosheviçi”. Çdo koment do të ishte i tepërt.

E njëjta gjuhë e mllefosur, kërcënuese, si më parë, se “vetëm tanket mund t’i detyrojnë serbët të njohin pavarësinë e Kosovës”. Dhe “të aspirosh” pastaj pranimin e vendit në Bashkimin Europian. Qëndrim dyfytyrësh. Edhe të jesh në BE, edhe në marrëdhënie të acarta me fqinjët(?!). Zëdhënës të denjë të qendrimeve antishqiptare, të politikës serbe në tërësi. Në vend të përpjekjeve për normalizimin e bashkëpunimit dypalësh, u vihet pas midesë dhe nxiten dhe inkurajohen më tej radikalët serbë. Kërcënuese dhe me pasoja për tërë rajonin tonë.

Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Ajo është një faktor i njohur, tepër i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin e Ballkanit.
Kjo situatë i ka bërë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të vrasin më shumë mendje dhe të mos bien në gabimet e mëparshme, ndaj të cilave, çuditërisht, jemi më të familjarizuar. Partitë shqiptare të kësaj Lugine do të jenë në koalicion, duke patur Listën e përbashkët.

Interesi kombëtar, gjë e gëzueshme, u vu mbi dallimet politike, treguar më dinjitoz në këto zgjedhje, nesër si> duam të jenë - përfaqësues të denjë të shqiptarëve në Kuvendin e Serbise, në mbrojtje të të drejtave që u takojnë.

Kur për herë të parë u bënë bashkë në vitin 2020, siguruan tre vende në parlament. Kjo ndodhi vetëm atëherë.

Tani, përsëri bashkë. Kjo nuk mund të mos e shqetësojë ish presidentin, që nesër aludon për kryeministër t’i bëjë sa më të dobishme për opinionin serb akuzat e tij ndaj shqiptarëve, duke i parë kandidatët e tyre në zgjedhje si “armiq të Serbisë”. Nuk është hera e parë kjo lloj retorike. Këtë radhë me pasion edhe më të madh.

Me sa duket, kjo vjen edhe nga një farë droje, pasigurie ndaj fitores në këto zgjedhje, pavarësisht “pathyeshmërisë” përmes makinacioneve të Partisë Progresive Serbe. 

Lini një Përgjigje