Ilzer zbulon arsyen e rikthimit të Asllanit në formacion pas paraqitjeve me Kosovën – sulmuesi shpërblehet duke kontribuar në dy golat e Hoffenheimit

Fisnik Asllani ka lënë gjurmë te Hoffenheimi me një pasim vendimtar në ndeshjen e tij të parë si titullar këtë sezon në Bundesligë. Sulmuesi kosovar nisi nga minuta e parë sfidën kundër Hamburgut, por kontributi i tij nuk mjaftoi për t’i shpëtuar ekipit nga disfata 3-2.

Të lidhura

None found

Pas muajsh me hapësira të kufizuara te skuadra gjermane, Asllani fitoi sërish besimin e stafit teknik falë grumbullimit me përfaqësuesen e Kosovës në Ligën e Kombeve, ku arriti të shënojë edhe një gol. Ai ishte protagonist në aksionin që solli autogolin e parë të ndeshjes, më pas dhuroi asistimin për golin e dytë të Hoffenheimit që e çoi rezultatin në 2-1, para se të zëvendësohej në minutën e 63-të.

Trajneri Christian Ilzer e vlerësoi lart paraqitjen e sulmuesit me Kosovën dhe angazhimin e tij në stërvitje pas rikthimit në klub. Sipas teknikut, forma e mirë fizike dhe përkushtimi gjatë javës ishin faktorët përcaktues që e bindën ta aktivizonte nga fillimi.

“Ai u stërvit gjatë gjithë javës dhe u paraqit në atë mënyrë që thjesht s’kishim alternativë tjetër veçse ta fusnim titullar,” deklaroi Ilzer për “DAZN”.

Asllani kishte pasur minuta të pakta te Hoffenheimi pasi transferimi i tij te Leipzig dështoi gjatë verës. Ai humbi një pjesë të fazës përgatitore dhe nuk u paraqit në ndeshjet miqësore, ndërsa në tri daljet e para zyrtare me fanellën e klubit grumbulloi vetëm 33 minuta: 18 në dy takime të Bundesligës dhe 15 në një ndeshje të Ligës së Evropës.

Nga ana tjetër, grumbullimi me Kosovën i dha mundësinë të fitonte minuta dhe ritëm garues. Asllani luajti plot 90 minuta kundër Izraelit, ndërsa pati paraqitje të shkurtra ndaj Irlandës dhe Austrisë. Pikërisht në ndeshjen me austriakët në Prishtinë, ai realizoi një gol spektakolar në barazimin 1-1.

“Ai thjesht kishte nevojë për më shumë ndeshje. Në total luajti rreth një ndeshje e gjysmë me kombëtaren e Kosovës. Është në formë të shkëlqyer dhe kjo është sigurisht një parakusht për të qenë titullar,” shtoi Ilzer.

Pas përfundimit të ndeshjes, Fisnik Asllani nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen, veçanërisht për mënyrën se si Hoffenheimi e humbi avantazhin në minutat finale.

“Në fund të fundit, rezultati është i keq. Sigurisht që e imagjinonim ndryshe,” u shpreh 24-vjeçari. Ai theksoi se skuadra ishte në lojë, por golat e pësuar në fund e bënë edhe më të hidhur disfatën.

“Është vërtet shumë e vështirë, sepse ishim në lojë. Pastaj të pranosh golin për 2-2 dhe më pas atë për 2-3, është thjesht e dhimbshme,” tha Asllani.

Ai përmendi edhe rrethanat që ndikuan në epilogun e takimit, përfshirë kartonin e dytë të verdhë dhe golat e vonuar të rivalëve.

“Por shpesh ndodh kështu: kur gjërat nuk shkojnë siç dëshiron, thjesht nuk shkojnë. Pastaj ndodhin gjëra si kartoni i dytë i verdhë, një gol i pafat dhe, në minutën e 90+4, një tjetër gol i pafat,” shtoi ai.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit, Asllani u shpreh i kënaqur me gjendjen e tij fizike dhe kontributin në fushë.

“Ndihem shumë mirë. Mendoj se kjo u pa qartë. Isha i përfshirë në lojë dhe nisa shumë aksione. Fizikisht gjithçka është në rregull dhe personalisht ndihem shumë mirë,” përfundoi sulmuesi.

Asistimi ndaj Hamburgut përbën një sinjal inkurajues për Asllanin, i cili sezonin e kaluar regjistroi 10 gola dhe nëntë asistime në 33 ndeshje. Këtë edicion ai ka një asistim në tri paraqitje në Bundesligë. Në radhët e Hoffenheimit luajnë edhe dy kosovarë të tjerë, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, ky i fundit aktualisht jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë grumbullimit me Kosovën. Hoffenheimi ndodhet në pozitën e parafundit të Bundesligës me vetëm 3 pikë, një start i dobët që e bën kontributin e Asllanit edhe më të nevojshëm për klubin gjerman.