Karabinierët ndërhynë dhe e arrestuan për tentativë vjedhjeje, 39-vjeçari ndërron jetë në duart e tyre, nisin hetimet

12 Tetor 2026, 19:35Rajoni TEMA
Karabinierët ndërhynë dhe e arrestuan për tentativë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Lodit, në veri të Italisë, ku një 39-vjeçar ka vdekur në spital pasi pësoi një arrest kardiak gjatë ndërhyrjes së forcave të karabinierëve.

Sipas mediave italiane, efektivët kishin mbërritur në vendngjarje pas një telefonate nga disa banorë të zonës, të cilët kishin raportuar se një person ndodhej mbi murin rrethues të një vile. Dyshohet se ai mund të kishte tentuar të kryente një vjedhje.

Kur mbërritën në vendngjarje, karabinierët gjetën 39-vjeçarin, i cili, sipas informacioneve paraprake, bërtiste dhe ishte në gjendje të rëndë. Efektivët ndërhynë për ta neutralizuar dhe e mbajtën të shtrirë në tokë.

Gjatë operacionit, 39-vjeçari pësoi arrest kardiak. Karabinierët i dhanë ndihmën e parë dhe përdorën një defibrilator në përpjekje për ta rikthyer në jetë.

Më pas, ai u transportua me urgjencë në spitalin e Lodit, por, pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ndërroi jetë disa orë më vonë.

Rrethanat e sakta që çuan në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore mbeten ende për t’u sqaruar.

Prokuroria e Lodit ka nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ndodhi gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.

Si pjesë e hetimeve, autoritetet po mbledhin dëshmitë e karabinierëve që morën pjesë në operacion, si dhe po sigurojnë regjistrimet e telefonatave të bëra në numrin e emergjencës 112.

Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë publike përfundimet e hetimit dhe as shkakun përfundimtar të vdekjes së 39-vjeçarit.

Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e arrestit kardiak dhe nëse gjatë ndërhyrjes janë respektuar të gjitha procedurat përkatëse.

Lini një Përgjigje