Ambasadori i SHBA në SPAK, çfarë ‘zbuloi’ Berisha që doli nga shinat?!

12 Tetor 2026, 18:36Politika TEMA

Ambasadori i SHBA në SPAK, çfarë ‘zbuloi’ Berisha

Nga Jakin Marena


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt zhvilluar tre ditë në parë një takim kokë më kokë, në ambientet e SPAK me kreun e këtij institucioni, Klodian Braho. Ai mbërriti në Prokurorinë e Posaçme i shoqëruar nga anëtarë të delegacionit e zyrtarë të tjerë amerikanë.
Një takim që vinte vetëm 4 ditë pasi diplomati amerikan u takua me dy drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Ky është takimi i dytë nga nisja e detyrës së ambasadorit amerikan në Shqipëri, dhe nuk është dhënë ndonjë informacion zyrtar në lidhje me këtë vizitë në SPAK. Ndërkohë që më 5 tetor, Wendt dhe drejtuesit e SPAK diskutuan rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrat se si partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-ve mund të kontribuojë për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dy vendet.
Ambasada në njoftimin e saj zyrtar theksoi se “lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Trump”. Po ashtu nënvizoi se ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave e se si ‘partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona’.
Teksa i shohim këto njoftime zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë, kemi vënë re se kanë thuajse të njejtën përmbajtje dhe të njejtat prioritete që ka deklaruar që në fillim Wëndt. Në këtë format ka qënë dhe njoftimi i takimit të ambasadorit të ri me kryeministrin Rama, madje dy herë është takuar në kryemnistri në harkun kohor të tre ditëve, apo me presidentin Begaj, me ministrin e Jashtëm Hoxha si dhe me disa deputetë demokratë, Jorida Tabaku, Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi e deputetë të tjerë nga partitë e vogla. Duke shmangur për hir të së vërtetës takimin me Berishën!
Por takimin e ambasadorit amerikan në SPAK, dy herë brenda pesë ditëve, me sa duket nuk e ka ‘përballuar’ siç duhet lideri i PD, Berisha! I cili ka reaguar edhe ndaj ambasadorit të ri të SHBA!
“Kam parë lajmin. Dhe e vërteta është që SPAK është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij. Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK, unë dua t'i njoftoj se SPAK është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK, se ai amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij”, deklaron me mllef Berisha. Teksa në përgjigjie të interesimit të gazetarëve për këtë takim, ‘shigjetat’ i drejton fort për Eric Wendt!
“Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libër, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar. Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut. Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik. Dhe kjo është e faktuar, s'ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton. Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshë në pluralizmin politik”, citojmë për të qenë korrektë, fjalë për fjalë Berishën.
Duke qënë se e kemi përcjellë për vite e vite me radhë liderin e PD, mesazhet që ai ka dhënë kundër ambasadorit amerikan, por dhe ‘faktin’ që ka marrë në analizë për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme, se ‘SPAK nuk ka hetuar krimin elektoral’, tregon shumë, për tronditjen e thellë që ka pësuar Berisha nga këto dy takime të njëpasnjëshme të Wendt me drejtuesin e SPAK!
Lideri demokrat e ka treguar me kohë e me vakt se kur i trembet diçkaje, në deklarimet publike gjithnjë ‘tehun’ e goditjes e orienton diku tjetër. Dhe kjo vlen dhe në këtë rastin e fundit të përballjes me ambasadorin e ri amerikan! Përballje që Berisha nuk e ka për herë të parë, pasi me të gjithë të emëruarit e presidentëve amerikanë në Tiranë, njësoj është sjellur! I ka shpallur direkt armiq, pa asnjë përjashtim! Pavarësisht se Wendt është i emëruar nga Trump, nuk bën përjashtim kjo për Berishën! Aq më tepër që dhe Trump nuk ia hoqi se nuk ia hoqi ‘non gratën’, siç kreu i PD dhe mbështetësit e tij ishin mburrur lart e poshtë, duke hedhur dhe miliona madje për lobime!
Dhe teksa analizojmë akuzën e Berishës ndaj SPAK për krimin elektoral, një akuzë që ka vite e vite që artikulohet nga lideri i opozitës, deri në bajatllëk, dhe nuk përmend askund akuzat ditore ndaj Prokurorisë së Posaçme, ato ku sipas Berishës prokurorët e posaçëm bëjnë çfarë u thotë Rama, në lidhje me goditjen ndaj krimit, ndaj korrupsionit dhe asaj që ai e quan ‘narko-shteti i Ramës’, duket qartë se Berisha është shumë i shqetësuar mbi temën e bisedës kokë më kokë në mes të ambasadorit të ri amerikan dhe kryeprokurorit Braho!
Duke qënë se Berisha e ka ‘mizën nën kësulë’, pasi ia ka punuar qindin këtij vendi për 36 vite me radhë dhe e di se ka radhë edhe për të paguar për këto zullume, ndërkohë që dosjet e rënda në ngarkim të tij thuhet se janë duke u hetuar, duke filluar që nga “Gërdeci’, dhe vijuar me “21 janarin’, pasurinë së tij dhe familjarëve të tij, e deri tek lobimi në SHBA e afera ‘Partizani’, kreut të PD gjithnjë i shkon mendja se dikush po ia punon pas shpine, për t’i bërë gjëmën!
Prandaj Berisha i trembet takimit kokë më kokë mes Wendt dhe Brahos në zyrat e SPAK, dhe hamendjet e tij vërtiten që nga ardhja e dosjes amerikane të “Gërdecit’ me gjithë të penduarin e drejtësisë, gjeneral Luan Hoxha, brenda, e deri te ekspertizat amerikane të plumbave të Gardës së Republikës, me të cilët u vranë 4 demonstruesit e opozitës më 21 janar 2011!
Ndoshta i shkon mendja edhe tek lobimi mbi 10 milionë dollarë në SHBA për të siguruar një vizë të ‘artë’ dhe prekur tokën amerikane, i cili mund të jetë bërë objekt hetimi, pas zemërimit të Trump me LaCivitën dhe lobuesit e tjerë afër administratës amerikane, të cilët i sikterisi zyrtarisht dhe publikisht, duke mos i konsideruar as si këshilltarë të tij si dhe paralajmëroi hetim!
Ajo që mund të themi është se Berisha diçka ka ‘zbuluar’ përmes njerëzve të tij brenda SPAK se ku ka ‘rrahur’ biseda mes ambasadorit të ri amerikan dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme. Dhe si ‘skile’ e vjetër që është, kreu i PD i lidh gjërat në ‘zinxhir’ me njëra tjetrën, duke filluar që nga mungesa e ftesë së Wendt për të, për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga ambasada për t’i uruar mirëseardhjen në krye të trupës dipolomatike në Tiranë, e deri tek mungesa e takimit me liderin e opozitës, sidomos pas shmangies së tij, dhe takimit së fundmi me 3 vartësit, Tabaku, Kaso e Bylykbashi! S’besojmë se Berisha trembet se mos është Tabaku e përzgjedhura e SHBA!
Ndërkohë që Ramën e ka takuar dy herë ambasadori amerikan në kryeministri, dhe javën e fundit edhe kreun e SPAK po dy herë ka qënë në takim me të, Berishën e ‘bren’ dyshimi i fortë se diçka po ‘luhet’ kundër tij! Është dyshimi i njeriut që nuk ka lënë gjë pa bërë ndaj të tjerëve dhe që ka shumë mëkate mbi kurriz, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që në këto takime në SPAK as që është përmendur emri i Berishës fare!
Megjithatë le të presim dhe të shohim. Berisha nuk të zhgënjen asnjëherë, në fund të herës del pikërisht aty ku e ka pasur qëllimin. Del kështu si pa mendje, ama në inat e sipër e dekonspiron veten hapur fare! Koha e verteton shpejt këtë!

Lini një Përgjigje