Më 17 nëntor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të bëjnë publik aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër bashkë të akuzuarve, të cilët përballen me vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Të lidhura
None found
Njoftimi i gjykatës i bërë të hënën bën të ditur se gjyqtari i çështjes, Charles L. Gosnell, ka përcaktuar orën 10:00 për shpalljen e vendimit.
Bashkë me Thaçin në bankën e të akuzuarve ndodhen Bashkim Smakaj, ish-drejtues i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.
Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar akuzat që rëndojnë mbi ta.
Në fjalët e tyre përmbyllëse gjatë shtatorit, prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkuan që Thaçi të shpallet fajtor dhe të marrë një dënim prej gjashtë vjetësh burg.
Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, kërkesa e Prokurorisë ishte tri vjet burgim për secilin, ndërsa për Kuçin u kërkua nëntë muaj burgim.
Në argumentimin e saj, Prokuroria theksoi se çdo përpjekje për të manipuluar dëshmitë e dëshmitarëve përbën një rrezik serioz për integritetin e sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, mbrojtja e Thaçit kërkoi lirimin e tij, duke vënë në dukje se Prokuroria nuk paraqiti prova të mjaftueshme për të mbështetur kërkesën e saj për dënim.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi u ka transmetuar vizitorëve të tij në qendrën e paraburgimit në Hagë të dhëna konfidenciale për dëshmitarët në procesin e tij për krime lufte, si dhe u ka dhënë udhëzime se si të ndikonin në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pohon se edhe të akuzuarit e tjerë ishin pjesë e këtij rrjeti, duke ndihmuar që këto udhëzime të arrinin te dëshmitarët.
Kur gjykimi filloi në shkurt 2026, Prokuroria bëri publike regjistrime audio nga takimet e Thaçit me vizitorët në paraburgim, të cilat sipas saj dëshmonin përpjekjet për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve.
Çështja e pengimit të drejtësisë zhvillohet veçmas nga procesi kryesor ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Kosovë.
Në atë rast, më 16 shtator, Gjykata Speciale i shpalli katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës fajtorë për disa prej akuzave për krime lufte, por i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, dhe Selimi me 13 vjet. Ky vendim është i shkallës së parë dhe ekipet mbrojtëse kanë njoftuar se do të apelojnë.
Prokuroria ka kërkuar që, nëse Thaçi shpallet fajtor edhe në çështjen e pengimit të drejtësisë, dënimi prej gjashtë vjetësh të vuhet pas përfundimit të dënimit për krime lufte, pra në mënyrë të njëpasnjëshme dhe jo paralelisht.





