Pak më ndryshe nga realiteti, ku secili prej nesh mendon se disa gjëra në jetë janë të destinuara për t’u arrirë në një moshë të caktuar, një 55-vjeçare nga Shkodra na dëshmon se në disa raste “mosha e duhur” nuk ekziston.
Bëhet fjalë për Merita Shenin, kryefamiljare dhe së fundmi e bekuar me emrin gjyshe, e cila në moshën 55-vjeçare ka vendosur që të përmbushë një nga ëndrrat e saj, të lënë në gjysmë për shkak të kushteve, përfundimin e studimeve në shkollën e mesme.
Sot, Merita është një nga nxënëset e gjimnazit “Kolë Idromeno” në Shkodër, ku ndjek mësimet së bashku me disa të tjerë, që kanë zgjedhur të rikthehen në një nga hapat e jetës që ata nuk e çuan dot deri në fund. Edhe pse në një moshë madhore, ku çdokush do të mendonte se Merita tashmë duhet të shoqërojë nipërit e mbesat e saj për në shkollë, 55-vjeçarja ka zgjedhur që të arsimohet dhe vetë.
Aktualisht Merita ndjek mësimet në sistemin e pasdites, e njohur ndryshe si mësim “part-time”, një mundësi që u krijon hapësirë edhe personave që nuk kanë arritur ta përfundojnë shkollimin në një moshë më të re.
Historia e Merita Shenit është një shembull i duhur për t’i dëshmuar kujtdo se kur dëshira është më e madhe sesa frika e gjykimit, të gjitha gjërat bëhen të arritshme.
