Tentoi t’u largohej karabinierëve me makinë/ Shqiptari i dehur lëviz në sens të kundërt për rreth 1 km në Itali, arrestohet

Bota

Tentoi t’u largohej karabinierëve me makinë/ Shqiptari i dehur

Drejtonte makinën me 2,2 gramë alkool për litër gjak, hipi në trotuare dhe përshkoi rreth një kilometër në sens të kundërt. Autoritetet po shqyrtojnë edhe revokimin e lejes së qëndrimit.

Një shtetas shqiptar 57-vjeçar është arrestuar në Padova të Italisë, pasi tentoi t’u largohej karabinierëve me makinë, duke kryer manovra të rrezikshme në disa zona të qytetit.

Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, rreth orës 04:00. Sipas mediave italiane, shqiptari ishte në timonin e një automjeti tip “Ford Focus” dhe përshkoi lagjet Guizza dhe Voltabarozzo, duke hipur në trotuare dhe duke lëvizur për rreth një kilometër në sens të kundërt përgjatë Lungargine Ziani.

Sjellja e tij i detyroi patrullat e policisë të kryenin manovra për të shmangur aksidentet. Ndjekja përfundoi në rrugën Guasti, pas ndërhyrjes së përbashkët të karabinierëve dhe Policisë së Shtetit.

Kontrolli me alkooltest konfirmoi se 57-vjeçari drejtonte automjetin në gjendje të rëndë dehjeje, me një përqendrim alkooli prej 2,2 gramësh për litër gjak. Ai u arrestua për rezistencë ndaj një zyrtari publik.

Gjatë kontrollit, në çantën e tij u gjet edhe një kaçavidë.

Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, të cilët u proceduan nga autoritetet. Një shtetas moldav 47-vjeçar akuzohet se ka goditur një efektiv policie gjatë kontrollit, ndërsa një shtetas rumun u procedua për dehje të dukshme në një vend publik.

Ndërkohë, komisari i policisë së Padovës, Marco Odorisio, ka nisur procedurat për të vlerësuar revokimin e lejes së qëndrimit të shqiptarit, i cili, sipas raportimeve, ka precedentë të mëparshëm.

ME TE LEXUARAT