Dasma e vëllait të këngëtares shqiptaro-amerikane Bebe Rexha është kthyer në një nga eventet më të komentuara në rrjetet sociale. Këshilluesi i stilit Liri Nikqi, mik i familjes prej shumë vitesh dhe i pranishëm në ceremoni, zbuloi disa nga detajet e festës gjatë një lidhjeje live në emisionin “Ftesë në 5”, me Bieta Sulon.
Sipas Nikqit, dasma ishte një festë tipike shqiptare, ku morën pjesë rreth 600 të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare, mes tyre nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Dibra.
“Tipike shqiptare, ishin diku të ftuar rreth 600 vetë. Ishte një sallë e stërmbushur me gëzim dhe hare”, tregoi ai, duke vlerësuar edhe përkushtimin e familjeve dibrane ndaj dasmave dhe organizimit të festave familjare.
Nikqi shpjegoi se festa nisi me një grup muzikor dhe një këngëtar dibran, ndërsa kokteji zgjati rreth një orë. Më pas, në skenë u ngjit këngëtarja Yllka Kuqi, e ndjekur nga reperi Ledri Vula, hyrja e të cilit, sipas tij, ishte një spektakël.
“Pastaj ishte surpriza, hyrja e reperit Ledri Vula, ishte një spektakël”, u shpreh ai.
Por një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte performanca e vetë Bebe Rexhës. Këngëtarja surprizoi të pranishmit duke interpretuar tri nga hitet e saj, në një moment që emocionoi edhe familjen.
“Ndoshta surpriza më e bukur ishte kur Bebe këndoi tri nga hitet e saj. Aty ishte dhe një moment pak emocionues për familjen, se si motra po i këndonte vëllait”, rrëfeu Nikqi.
Gjatë bisedës, Bieta Sulo kujtoi edhe një moment tjetër të festës, kur Bebe Rexha këndoi në oborr së bashku me hallën e saj, duke i dhënë dasmës atmosferën e një feste tradicionale shqiptare.
Liri Nikqi tregoi gjithashtu se ka bashkëpunuar prej vitesh me nënën e këngëtares dhe se lidhjet e tij me familjen Rexha e kishin bërë pjesë të këtij gëzimi familjar.


