Partizani në krizë, ish-sulmuesi Dosti flet pas shkarkimit të Bratus: Duhet një trajner që e njeh futbollin shqiptar
Ish-sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, Edmond Dosti, komentoi shkarkimin e trajnerit Florin Bratu pas humbjes 1-3 në derbin ndaj Tiranës. I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv” me Drilon Xhepollarin në Euronews Albania, Dosti u shpreh se largimi i trajnerit rumun ishte i pritshëm, por sipas tij, përgjegjësia për rezultatet e dobëta të të kuqve nuk duhet të mbetet vetëm te trajneri.
Dosti tha se e kishte kundërshtuar që në fillim emërimin e Bratus, duke argumentuar se ai merrte drejtimin e një skuadre me të cilën nuk kishte njohje të mëparshme.
“Unë e kam thënë që kur është lajmëruar si trajner i Partizanit se me këtë nuk ka për të bërë hajër, për shumë arsye. Erdhi nga Rumania, ku ekipi ku kishte qenë kishte rënë nga kategoria. Do të vinte në një kampionat që nuk e njihte dhe në një ekip që nuk e njihte”, u shpreh Dosti.
Dosti e cilësoi katastrofik bilancin e Partizanit pas gjashtë javësh kampionat, me vetëm katër pikë të grumbulluara dhe vendin e parafundit në klasifikim. Ai vlerësoi se skuadra ka nevojë për një trajner që njeh futbollin shqiptar dhe që mund të bashkojë grupin në këtë moment të vështirë.
Sipas tij, deri në përfundim të fazës së parë, objektivi kryesor duhet të jetë grumbullimi i pikëve, ndërsa në merkaton e dimrit nevojiten investime dhe përforcime në disa reparte.
“Duhet një trajner që t’i mbledhë lojtarët, një trajner që e njeh futbollin shqiptar. Me këta lojtarë duhet të japë maksimumin deri në fazën e parë dhe të marrë pikët që i duhen Partizanit”, u shpreh ai.
I pyetur për emrat që po përmenden si kandidatë për të marrë drejtimin e skuadrës, mes tyre drejtori i akademisë, Genc Tomorri, dhe trajneri i Partizanit B, Alfred Deliallisi, Dosti tha se një zgjidhje e përkohshme nga brenda klubit mund të ishte e përshtatshme, në pritje të gjetjes së trajnerit të duhur.
Ai shtoi se Partizani ka nevojë edhe për një trajner që të rikthejë besimin te lojtarët dhe ta shndërrojë momentin e vështirë në një pikënisje për rezultate më të mira.
Duke analizuar humbjen në derbi, Dosti kritikoi zgjedhjen e formacionit dhe vonesën në kryerjen e zëvendësimeve. Sipas tij, Partizani nuk ka një skemë të qartë loje dhe kjo është një nga arsyet që skuadra po has vështirësi në kampionat.
“Unë e kam thënë dhe e kam shkruar se Partizani është pa fizionomi, pa skemë. Nuk e dimë si luan dhe kush luan. Për këtë nuk duhet të na duket çudi që Partizani është në këtë gjendje. Të gjitha fajet nuk mund t’ia lëmë vetëm trajnerit, sepse edhe Demi duhet të kishte reaguar më shpejt”, tha Dosti.
Pas gjashtë javësh të kampionatit, Partizani renditet në vendin e parafundit me katër pikë dhe ka pësuar 13 gola, duke pasur mbrojtjen më të dobët të kampionatit.
Spanja, Franca, Argjentina… Raklli zbërthen favoritët e Botërorit 2026
Durrësi kryeqyteti i notit, 6 shtete garojnë në fundjavë në “Teuta Cup 2026”
“Asllani nuk e meriton formacionin”, trajneri Zela: S’ka ritëm, nuk përplaset kurrë
- 18:59 Zjarri shkatërron tregun më të vjetër të ushqimeve në Paris
- 18:37 Pas ndeshjeve me Kombëtaren, legjionarët shqiptarë rikthehen me gola dhe asiste në kampionatet europiane
- 18:32 Rreth 5 000 persona me simptoma helmimi në veri të Turqisë, dyshimet e para
- 18:28 Aktgjykimi ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë do të shpallet më 17 nëntor
- 18:28 BE bie dakord për krijimin e një misioni të ri civil dhe ushtarak në Liban
- 18:25 Argjentina, kombëtarja më e sulmuar në rrjetet sociale gjatë Botërorit