Pas ekstradimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sokol Hoxha nuk do të vuajë dënimin me 25 vite burg të dhënë në Shqipëri për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, në vitin 1997. Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e tij për lirimin nga ky dënim, me argumentin se ai është parashkruar.
Megjithatë, 51-vjeçari nuk do të dalë nga burgu. Ai do të vijojë të qëndrojë pas hekurave për shkak të një tjetër dënimi, të dhënë nga drejtësia belge, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shqiptares Brunilda Dervishi, po në vitin 1997.
Hoxha u ekstradua në Shqipëri rreth një muaj më parë, pas arrestimit në SHBA, ku kishte jetuar për vite me radhë duke iu shmangur drejtësisë. Ai kërkohej për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, ngjarje e ndodhur më 30 mars 1997 në Patos.
Sipas dosjes gjyqësore, konflikti që çoi në vrasjen e dy vëllezërve nisi pas një debati për një kasetofon makine. Përplasja përfundoi me përdorimin e armëve të zjarrit, ndërsa Ilirjan dhe Hektor Banaj u qëlluan për vdekje pranë tregut të fruta-perimeve, në zonën e stacionit të autobusëve.
Nga hetimet dhe dëshmitë e administruara në dosje rezultoi se Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi u larguan nga vendngjarja pas sulmit. Gjykata i shpalli fajtorë për vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa Hoxha qëndroi në arrati për afro tri dekada.
Pas mbërritjes në Gjykatën e Fierit, ai kërkoi që të mos vuante dënimin shqiptar, duke pretenduar se afati ligjor për ekzekutimin e tij kishte përfunduar. Kërkesa u pranua nga trupa gjykuese, ndërsa edhe Prokuroria kishte mbajtur qëndrim në të njëjtin drejtim.
Ndryshe paraqitet situata në Belgjikë. Atje, Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit. Ky vendim ka marrë formë të prerë në vitin 2010 dhe përbën bazën që ai të vijojë vuajtjen e dënimit.
Ndërkohë, pas arrestimit të tij në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimet me palën belge për çështjen e transferimit të dënimit. Autoritetet britanike kanë revokuar gjithashtu pasaportën që Hoxha kishte marrë me identitetin Hysen Gashi, emër me të cilin kishte udhëtuar edhe drejt Shteteve të Bashkuara.













