AKTUALITET /

Miliona lekë për punime të pakryera, KLSH zbulon shkelje në 29 nga 30 kontratat e Ministrisë së Bujqësisë

KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë të marrë masat përkatëse për rikuperimin e dëmit ekonomik dhe trajtimin e problematikave të evidentuara gjatë auditimit

Shkruar nga Versus

Miliona lekë për punime të pakryera, KLSH zbulon shkelje në

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar probleme në zbatimin e kontratave të punëve publike në Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat në varësi të saj, ku rezultojnë diferenca mes volumeve të punimeve të likuiduara dhe atyre të kryera realisht.

Nga 30 kontrata të audituara, të zbatuara gjatë periudhës 2019-2024, në 29 prej tyre janë konstatuar diferenca në volume, me punime të paguara, por që sipas auditimit nuk rezultojnë të jenë kryer në përputhje me kontratat e sipërmarrjes.

Për këto raste, KLSH i ka rekomanduar Ministrisë së Bujqësisë të marrë masa për rikuperimin e dëmit ekonomik në vlerën rreth 18.7 milionë lekë, përfshirë TVSH-në. Kjo shumë përfaqëson vlerën e punimeve të likuiduara, por të pakryera.

Në total, masat e rekomanduara për shpërblimin e dëmit të lidhur me auditimin arrijnë në rreth 19.1 milionë lekë, ku pjesën kryesore e zënë problematikat e konstatuara në kontratat e punëve publike.

Përveç diferencave në volume, auditimi ka evidentuar edhe probleme me dokumentacionin teknik të objekteve. Sipas gjetjeve të KLSH-së, disa objekte janë kolauduar dhe marrë në dorëzim pa dokumentacionin e kërkuar të ndërtimit.

Kontrolli ka përfshirë kontrata të realizuara përgjatë pesë viteve, nga 2019-a deri në 2024-ën. Vetëm në një prej 30 kontratave të përzgjedhura nuk janë raportuar diferenca mes punimeve të likuiduara dhe atyre të kryera.

KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë të marrë masat përkatëse për rikuperimin e dëmit ekonomik dhe trajtimin e problematikave të evidentuara gjatë auditimit./Versus.al

Poll