Ministri i Brendshëm serb dhe zv.kryeministri, Ivica Daçiç, ka bërë sërish deklarata për Kosovën gjatë një tubimi elektoral në Beograd, duke pretenduar Prizreni ka qenë kryeqyteti i i Serbisë.
Politikani serb foli edhe për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, mbështetjen nga Rusia dhe Kina, si dhe synimin e tij për të kandiduar për president.
Ministri i Brendshëm i Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, ka përsëritur deklaratat për Prizrenin, duke këmbëngulur se Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj politike ndaj Kosovës.
Gjatë një tubimi elektoral në Beograd, Daçiç iu përgjigj kritikave që, sipas tij, i kishte bërë ish-ministri gjerman Michael Roth për deklaratën se flamuri serb do të valëvitet sërish në Prizren.
“Ai tha: Si guxon Daçiç të thotë diçka të tillë? Epo, unë guxoj! Ne jemi ndryshe nga të tjerët. Guxojmë, sepse kështu mendojmë dhe sepse Kosovën e Metohinë i kemi mbrojtur me luftë”, deklaroi ai.
Daçiç, i cili tha se ka lindur në Prizren, iu referua edhe numrit të banorëve serbë që jetojnë aktualisht në qytet, duke e krahasuar atë me periudha të mëparshme. Ai pretendoi gjithashtu se Prizreni kishte qenë kryeqyteti i parë serb rreth tetë shekuj më parë.
“E sidomos unë guxoj ta them këtë, sepse kam lindur në Prizren, ku sot jetojnë më shumë se 20 serbë. Tridhjetë vjet më parë, atje jetonin më shumë se 10.000 prej tyre. Dhe tetë shekuj më parë, aty ndodhej kryeqyteti i parë serb. Nuk ka pse të ndodhë nesër, por do të ndodhë ashtu siç kemi bërë edhe më parë. Ne pritëm katër shekuj e gjysmë dhe e shenjtëruam Kosovën me në Kumanovë”, deklaroi politikani serb.
Gjatë fjalimit, Daçiç e cilësoi Kosovën dhe Metohinë si pjesë të pandashme të Serbisë dhe deklaroi se vendi i tij nuk mund të shkëputet nga kjo çështje. Ai vlerësoi gjithashtu figurën e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç, të cilit i atribuoi rikthimin e krenarisë kombëtare serbe.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi edhe marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, të cilat i cilësoi si aleate të Serbisë për çështjen e Kosovës.
“Unë ndihmova më shumë se 20 vende të tërheqin njohjen e tyre për pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë. Nëse ne jemi faktor, do të vazhdojmë me atë politikë”, u shpreh Daçiç, duke pretenduar se edhe shtete të tjera mund ta tërheqin njohjen e Kosovës.