Komisionerja Europiane për Zgjerimin, në fjalën e mbajtur për mediat ka kritikuar ndryshimet e votuara nga Kuvendi i Kosovës në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kritikat e Kos nuk janë pritur mirë nga figurat e njohura të politikës së Kosovës të cilët në reagimet e bëra i kanë sugjeruar komisioneres që të merakoset më shumë për dënimin e çlirimtarëve, sesa për tentativën për t’i shpëtuar ata nga burgimi.
Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku është shprehur se mospajtimet me partnerët ndërkombëtarë janë të natyrshme. Më tej ajo ka theksuar se Kosova duhet t'ia sqarojë BE-së qëllimin e ndryshimeve ligjore: Është normale që ndonjëherë me miqtë të kemi mospajtime. Kosova me ligj dhe vullnet kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë.
Në të njëjtën linjë ka qëndruar dhe kreu i Parlamentar të Aleancës Besnik Tahiri, i cili ka nënvizuar se Kuvendi do të angazhohet për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Ajo çka mund të them rreth reagimit të komisioneres Kos është thjesht një reagim i Bashkimit Evropian në vazhdimësi të asaj që ka ndodhur me deklaratën e BE-së. Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si Kuvend të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbështetur katër çlirimtarët në Hagë.”, është shprehur Tahiri.
Po ashtu dhe shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, ka theksuar nevojën për koordinim institucional dhe strategji shtetërore për fazën e Apelit, duke theksuar në fjalën e saj se votimi i ndryshimit për vendimin e Hagës, janë rruga e duhur.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e këtyre çështjeve me projektligj. Gjithsesi, ne u kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se është rruga e duhur.”, ka thënë Nagavci.
Sipas Kos, ndryshimet e miratuara bien ndesh me detyrimet që Kosova ka ndaj BE. Komisionerja ka theksuar më tej se respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht themelor në procesin e integrimit europian.
“E drejta ndërkombëtare është gjithashtu thelbësore për paqen dhe sigurinë. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas asaj që kemi parë pas vdekjes së kriminelit të luftës, kur tendencat nacionaliste kanë filluar të rizgjohen. Ne e kemi parë në të kaluarën se çfarë mund të ndodhë kur këto tendenca mbizotërojnë.
Dua të jem gjithashtu shumë e qartë. Në Kosovë, ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet themelore që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian dhe kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një proces gjyqësor është ende në zhvillim bie ndesh me të gjitha standardet ndërkombëtare të njohura të shtetit të së drejtës.”, është shprehur Kos në lidhje me ndryshimet e votuara.
Ndërkohë mësohet se Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar 17 nëntorin 2026, si ditën për shpalljen e aktgjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, për pengim drejtësie. Seanca gjyqësore pritet të mbahet në orën 10:00 të mëngjesit.
