
Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit. Lajmi është konfirmuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Bodo ka mbajtur më herët detyrën e këshilltares së ish-drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, si dhe të drejtuesit aktual të BKH-së, Joni Keta.
Adriatik Kupi njoftoi largimin nga detyra përmes një postimi në Facebook, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, konfirmoi më pas pranimin e dorëheqjes.
Kupi, i cili mori detyrën më 1 prill, e përshkroi periudhën në drejtimin e sistemit të burgjeve si jo të lehtë. Edhe pse nuk dha detaje mbi arsyet e vendimit të tij, ai la të kuptohej se gjatë ushtrimit të detyrës ishte përballur me kritika dhe kundërshtime.
“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, shkroi Kupi, duke shtuar se për disa çështje koha do të flasë më qartë.
Rreth tre orë pas njoftimit të dorëheqjes, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se e kishte pranuar atë, duke falënderuar Kupin për përkushtimin gjatë ushtrimit të detyrës./Versus.al

