Kreu i KQZ konsultohet me partitë politike për votimin elektronik në 2027, PD kundër zgjerimit

12 Tetor 2026, 20:35Politika TEMA
Kreu i KQZ konsultohet me partitë politike për votimin elektronik

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilloi një takim konsultativ me përfaqësues të partive politike, ku në fokus ishte mundësia e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Fryma e Re Demokratike, Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Partisë Agrare Ambientaliste dhe Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Gjatë konsultimit, përfaqësuesit e partive politike paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e përdorimit më të gjerë të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.

Përfaqësuesi i PD-së u shpreh kundër zgjerimit të kësaj mënyre votimi, duke mos mbështetur shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Ndërkohë, përfaqësuesit e tjerë politikë pjesëmarrës në takim shprehën mbështetje për këtë proces ndërsa rekomanduan që votimi dhe numërimi elektronik të zbatohet në disa bashki ose të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se po vlerëson propozimet e paraqitura nga partitë politike, si dhe aspektet teknike që lidhen me zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik.

Ky vlerësim do t’i paraprijë vendimmarrjes për mënyrën se si do të përdoret teknologjia në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Lini një Përgjigje