Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Komisioni i propozuar do të ketë një mandat fillestar nëntëmujor dhe do të përqendrohet te funksionet e qeverisjes vendore, shërbimet publike, financat vendore dhe zhvillimi rajonal.
Sipas kërkesës, komisioni do të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të vetëqeverisjes vendore, në vijim të ndarjes së re administrativo-territoriale. Një tjetër objektiv do të jetë analiza e funksioneve, kompetencave dhe shërbimeve publike vendore, si dhe hartimi i propozimeve për thellimin e decentralizimit.
Në fokus do të jetë edhe sistemi i financave vendore, me synimin për të forcuar decentralizimin fiskal dhe qëndrueshmërinë financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore. Komisioni do të shqyrtojë gjithashtu mundësitë për zhvillimin rajonal, në funksion të politikës së kohezionit dhe përfitimit nga fondet e Bashkimit Evropian.
Një pjesë e rëndësishme e punës do të jetë sigurimi i përputhshmërisë së propozimeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Për këtë qëllim, parashikohet një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent me bashkitë, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Komisioni do të shqyrtojë dhe propozojë ndryshime në ligjin për vetëqeverisjen vendore, ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore dhe ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, si dhe në akte të tjera ligjore që lidhen me objektin e tij. Brenda afatit të veprimtarisë, ai do t’i paraqesë Kuvendit projektligjet përkatëse dhe relacionet shoqëruese.
Një tjetër detyrë e parashikuar është ndjekja e zbatimit të ligjit dhe e masave kalimtare për ngritjen e bashkive të reja deri në zgjedhjet vendore të vitit 2027, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave. Komisioni do të bashkërendojë gjithashtu punën me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore për çështjet që lidhen me përfaqësimin.
Sipas propozimit, komisioni do të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare. Kryetari do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari do të përfaqësojë pakicën parlamentare. Mandati do të jetë nëntë muaj nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi, në bazë të një kërkese të arsyetuar të kryetarit.
Pranë komisionit parashikohet të ngrihet një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa mbështetja teknike do të sigurohet edhe nga një sekretariat i përbërë nga administrata e Kuvendit dhe ekspertë të kontraktuar.
Në kuadër të punës së tij, komisioni do të zhvillojë konsultime me ministrat përgjegjës, institucionet dhe agjencitë në varësi të Këshillit të Ministrave, institucionet në varësi të Kuvendit dhe institucionet e pavarura. Pjesë e konsultimeve do të jenë edhe kryetarët e bashkive, shoqatat e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Këshilli Konsultativ i qeverisjes qendrore me atë vendore.
Parashikohet gjithashtu organizimi i seancave dëgjimore, tryezave të punës dhe diskutimeve publike. Për asistencë dhe ekspertizë teknike, komisioni do të ftojë Delegacionin e Bashkimit Evropian, Këshillin e Evropës dhe Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, Prezencën e OSBE-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas kërkesës, organet shtetërore, institucionet publike dhe institucionet e pavarura do të kenë detyrimin të bashkëpunojnë me komisionin dhe t’i vënë në dispozicion, pa vonesa, dokumentacionin dhe informacionin e kërkuar. Ndërkohë, Kuvendi do të duhet të sigurojë kushtet e punës, mbështetjen financiare, logjistike dhe burimet njerëzore për funksionimin e komisionit, grupit të ekspertëve dhe sekretariatit teknik.


