Pas deklaratave të ish sekretarit të shtetit Anthony Blinken në Tiranë, Ministri i jashtëm i Izraelit, u bë diplomati i dytë i lartë që e ngriti në qiell Edi Ramën gjatë një vizite në Tiranë. Por ndërsa për të parin vijojnë të gëlojnë teori të shumta konspirative, për ndihmesën që i dha regjimit shqiptar, motivet e Gideon Sa’ar janë shumë më të lexueshme. Edi Rama, me një vendim personal i ka shqyer dyert e vendit të vet për hebrenjtë.
Historia që është rigjallëruar veçanërisht muajt e fundit sidomos me propozimin e ngritjes së një muzeu hebraik në Vlorë, nis që në mars 2018, kur kryeministri ynë, hodhi një tezë që shumëkush e ka harruar, atë të Shqipërisë si “një atdhe rezervë për hebrenjtë”.
Deklarata u bë gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u nderua për kontributin në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit.
Por kjo nuk qe një rastësi. Në Izrael në 24 tetor 2024 ai e përsëriti këtë tezë duke theksuar mundësinë e një atdheu të dytë për hebrenjtë.
Një muaj para kësaj, në 12 shtator 2024, gjatë vizitës së presidentit izraelit Herzog në Tiranë kryeministri e pati paraqitur lidhjen mes dy vendeve si pjesë të historisë dhe identitetit shqiptar. Në të njëjtën deklaratë, ai foli për mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe për mirëpritjen e turistëve, sipërmarrësve dhe profesionistëve izraelitë që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri.












