Armëpushimi energjetik i njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump mes Rusisë dhe Ukrainës nuk u respektua në terren, pasi sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase vijuan përpara përfundimit të periudhës 24-orëshe. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se nuk iu përgjigj nismës amerikane me të njëjtën masë, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e marrëveshjes dhe garancitë për zbatimin e saj. Sipas Zelensky-t, Ukraina nuk sulmoi gjatë natës objektet energjetike brenda territorit rus, pikërisht për shkak të njoftimit të Trump për ndërprerjen e sulmeve. Rusia, ndërkohë, vijoi bombardimet ndaj infrastrukturës ukrainase. Presidenti ukrainas e cilësoi këtë si përgjigjen e Vladimir Putinit ndaj nismës amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të ushtrojë presion mbi Moskën për të garantuar respektimin e angazhimeve.