Çështja Veliaj/ Raporti i Këshillit të Europës: Paraburgimi i zgjatur cënon të drejtat e tij dhe të votuesve

Politikë

Çështja Veliaj/ Raporti i Këshillit të Europës:

Çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka zënë vend në raportin e katërt të monitorimit të zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, i hartuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës ku shprehet shqetësim lidhur me faktin që vendi ynë renditet ndër vendet me nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë

Dokumenti, që i është dorëzuar Kongresit më 7 tetor dhe pritet të miratohet më 27 tetor, përshkruan zhvillimet institucionale që lidhen me Veliajn, por ndalet edhe te ndikimi që mund të ketë paraburgimi i zgjatur i një kryetari bashkie në funksionimin e qeverisjes vendore.

" Në shtator të vitit 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi për shkarkimin e kryetarit nga detyra për shkak të mungesës në vendin e punës për më shumë se 3 muaj. Në bazë të kësaj, qeveria nxori një dekret shkarkimi dhe me dekret presidencial u caktua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. 

Megjithatë, në nëntor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e riktheu Erion Veliajn në postin e kryetarit të bashkisë, duke e cilësuar shkarkimin e tij si antikushtetues dhe duke anuluar zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet. Në praktikë, z. Veliaj nuk është në gjendje t'i ushtrojë detyrat e tij si kryetar bashkie, pasi vazhdon të mbahet në paraburgim" thuhet në raport

Raportuesit e konsiderojnë jashtë fushëveprimit të këtij raporti komentimin e procedimeve penale në vazhdim. Si vëzhgim të përgjithshëm, ata dëshirojnë vetëm të theksojnë se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, si dhe me një kohëzgjatje mesatare relativisht të gjatë të paraburgimit.

Raporti i Komisionit të Venecias mbi ndikimin e paraburgimit të kryetarëve të bashkive në ushtrimin e qeverisjes vendore demokratike ka theksuar se paraburgimi i zgjatur i kryetarëve të bashkive duhet trajtuar me kujdes të veçantë, pasi mund të vërë në pikëpyetje si të drejtat individuale të kryetarëve sipas KEDNJ-së, ashtu edhe të drejtat e votuesve që i kanë zgjedhur ata.” shtohet më tej 

ME TE LEXUARAT