
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, ka kritikuar qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj deklaratave të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç sipas së cilës, Kosova është toka e tyre dhe se do ta marrin një ditë.
Ai argumentoi se politika e Beogradit e ka përdorur Kosovën për qëllime elektorale, ndërsa kundërshtimi ndaj shtetësisë së saj, sipas tij, nuk kufizohet vetëm te deklaratat politike, por përfshin edhe veprime konkrete dhe lobim ndërkombëtar.
“Politika në Beograd e ka përdorur Kosovën si një kartë elektorale, por nuk është vetëm përdorimi retorik dhe politik. Janë bërë edhe veprimet dhe ka një kontinuitet të agresionit serb kundër Kosovës. Serbia, që në fillim, edhe gjatë kohës së bisedimeve në vitin 2006 dhe deri sot, ka 20 vjet organizim shtetëror kundër shtetësisë së Kosovës”, deklaroi ish-ambasadori Arben Çejku.
Më tej, Çejku tha se, edhe përpjekjet e Serbisë për të ndikuar në qëndrimet ndërkombëtare ndaj Kosovës, duke pretenduar se Beogradi ka tentuar të përfshijë edhe Shqipërinë në strategjinë e tij politike.
Ai solli në vëmendje edhe një episod të qershorit të vitit 2016 në Paris, kur Ivica Daçiç i këndoi këngën “O sole mio” kryeministrit Edi Rama, duke e përdorur këtë rast si shembull të mënyrës se si, sipas tij, Serbia është përpjekur të krijojë marrëdhënie të afërta me drejtuesit shqiptarë.
“Duke u zhvendosur pak nga emocionet e fushatës dhe nga retorika e ditës, duhet të kapim strategjinë e shtetit të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Dhe kjo ka vepruar, vepron dhe do të veprojë edhe në të ardhmen”, përfundoi ai.

