Një 57-vjeçar shqiptar është arrestuar në orët e para të së hënës nga autoritetet italiane në Padova, pasi iu shmang kontrollit të policisë dhe nisi një ndjekje të rrezikshme me makinë nëpër rrugët e qytetit.
Ngjarja nisi kur drejtuesi i një automjeti tip “Ford Focus” nuk iu bind urdhrit të karabinierëve për të ndaluar. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai udhëtoi me shpejtësi të lartë, hyri në disa segmente rrugore në sens të kundërt dhe devijoi mbi trotuare. Pas ndërhyrjes së karabinierëve dhe policisë, ndjekja përfundoi në rrugën Guasti. Testi i alkoolit tregoi se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur me një nivel prej 2.2 gramësh për litër gjak, ndërsa në çantën e tij u gjet edhe një kaçavidë.
Gjatë operacionit të ndalimit, një nga pasagjerët e mjetit goditi një efektiv policie në kraharor dhe u procedua nga autoritetet, ndërsa pasagjeri tjetër, një shtetas rumun, u procedua për dehje në publik. Drejtuesi shqiptar u arrestua për rezistencë ndaj zyrtarit publik, ndërsa ndaj tij po shqyrtohet edhe heqja e lejes së qëndrimit në Itali për shkak të precedentëve të mëparshëm.
Lini një Përgjigje