Një 21-vjeçare nga Nju Jorku humbi jetën pasi u paraqit në spital për të marrë trajtim për një frakturë në kyçin e këmbës. Familja e saj pretendon se vdekja erdhi si pasojë e administrimit të një sasie të tepërt medikamentesh kundër dhimbjes dhe ka ngritur padi ndaj spitalit në Connecticut, SHBA, duke pretenduar neglizhencë mjekësore.
Dale Alice Martin u dërgua në Waterbury Hospital më 10 prill 2025, pasi kishte thyer kyçin e këmbës gjatë punës në një fermë. Sipas dokumenteve gjyqësore, gjendja e saj u përkeqësua gjatë qëndrimit në spital, ku iu administruan disa medikamente kundër dhimbjes.
Familjarët pretendojnë se ilaçet i shkaktuan vështirësi në frymëmarrje dhe se personeli mjekësor nuk e konstatoi në kohë përkeqësimin e gjendjes së saj. Autopsia përcaktoi se 21-vjeçarja vdiq si pasojë e arrestit kardiak, ndërsa padia, e paraqitur nga avokati i familjes, Christopher Mattei, ngre pikëpyetje mbi trajtimin që ajo mori dhe monitorimin nga stafi.
“Brenda 14 orëve nga shtrimi, personeli i spitalit i kishte dhënë Dale aq shumë medikamente kundër dhimbjes, saqë ajo ndaloi së marri frymë dhe më vonë ndërroi jetë”, thuhet në padi.
Sipas dokumenteve gjyqësore, medikamentet e kishin bërë të renë të përgjumur dhe po ndikonin në frymëmarrjen e saj, duke e penguar, sipas pretendimeve të familjes, të kërkonte ndihmë. Padia pretendon se infermierja e kontrolloi pacienten vetëm rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur zemra e saj kishte ndaluar së rrahuri.
Babai i saj, Lindsay Martin, tha për gazetën Hartford Courant se familja nuk ishte në dijeni të problemeve financiare dhe organizative me të cilat përballej spitali në kohën kur vajza e tyre u dërgua atje.
“Ne nuk e dinim deri pas vdekjes së Dale-s se ajo ishte shtruar në një spital në falimentim, që ishte nën hetim dhe ku, sipas pretendimeve, infermierët po blinin ushqime për pacientët. Financimi ishte aq i kufizuar sa spitali mund të mos kishte qenë në gjendje të funksiononte siç duhej”, u shpreh ai.
Sipas të atit, vajza nuk kishte pasur mundësi të zgjidhte një institucion tjetër shëndetësor, pasi ishte dërguar në spitalin më të afërt.
Dale Martin jetonte në Bethlehem, Connecticut. Ajo kishte ndjekur shkollën e mesme në Pelham, në Westchester County, Nju Jork, dhe studionte për anglisht dhe histori në Trinity University, në San Antonio të Teksasit.
Waterbury Hospital ishte për një kohë të gjatë në pronësi të kompanisë Prospect Medical Holdings, me seli në Kaliforni, e cila shpalli falimentimin në janar të vitit 2025. Në fillim të këtij viti, spitali kaloi në pronësi të UConn Health.
Avokati Christopher Mattei pretendon se problemet financiare të kompanisë së mëparshme mund të kenë ndikuar në funksionimin e institucionit, përfshirë infrastrukturën, numrin e punonjësve dhe trajnimin e personelit.
“Ne presim të zbulojmë se spitali po funksiononte me burime minimale, si pasojë e çmontimit të infrastrukturës nga Prospect, reduktimit të stafit dhe mënyrave të ndryshme për të nxjerrë përfitime financiare nga institucioni, duke vënë në rrezik kujdesin ndaj pacientëve”, deklaroi Mattei.
Një përfaqësues i spitalit refuzoi të komentonte për çështjen, duke argumentuar se vdekja e 21-vjeçares kishte ndodhur përpara se institucioni të kalonte në pronësinë e re.
Rrethanat e vdekjes së Dale Martin dhe përgjegjësia e mundshme e personelit mjekësor pritet të shqyrtohen në procesin gjyqësor. Deri në përfundimin e tij, pretendimet e familjes mbeten akuza që duhet të vlerësohen nga gjykata.


