Një 13-vjeçar me çrregullime të spektrit autik, i shtruar në një pavijon ku trajtohen gra me probleme të shëndetit mendor, dhe një punonjëse sanitare që ka pranuar se e ka fyer.
Ky është rasti i denoncuar në emisionin “Fiks Fare”, që ka vënë në lëvizje drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ka rikthyer vëmendjen te kushtet dhe mënyra e trajtimit të pacientëve të mitur në shërbimin psikiatrik.
Pas transmetimit të rastit, QSUT ka nisur verifikimet për rrethanat e qëndrimit të të miturit në spital, ndërsa në fokus të shqyrtimit është vënë edhe sjellja e personelit ndaj tij. Administratorja spitalore, Ergesta Ninga, konfirmoi se grupi i punës i ngritur për këtë çështje ka dokumentuar rastin dhe ka propozuar largimin nga puna të punonjëses sanitare.
Sipas Ningës, punonjësja ka pranuar gabimin dhe fyerjen ndaj 13-vjeçarit. Propozimi për masën disiplinore i është përcjellë drejtorit të përgjithshëm të QSUT-së, të cilit i takon vendimi përfundimtar. Por shqetësimet nuk lidhen vetëm me sjelljen e personelit. Vetë administratorja e QSUT-së pranoi se kushtet në Shërbimin Psikiatrik nuk janë plotësisht të përshtatshme, duke bërë të ditur se kanë nisur ndërhyrjet për përmirësimin e ambienteve dhe përshtatjen e tyre me nevojat e pacientëve. Ninga deklaroi se, pavarësisht problematikave infrastrukturore, 13-vjeçarit i është ofruar mbështetja e nevojshme nga stafi mjekësor.
Megjithatë, rasti ngre pikëpyetje mbi kushtet e trajtimit dhe përshtatshmërinë e ambienteve për fëmijët dhe adoleshentët me nevoja të veçanta. Një tjetër çështje e diskutuar lidhet me pacientët që konsumojnë duhan.
Administratorja sqaroi se, për shkak të mungesës së një hapësire të posaçme, konsumimi i tij nuk lejohet aktualisht në këto ambiente. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për të marrë në konsideratë mirëqenien e pacientëve, në mënyrë që të shmangen acarimi apo përkeqësimi i gjendjes së tyre.
Denoncimi në “Fiks Fare” u bë nga nëna e 13-vjeçarit, e cila ngriti shqetësime për kushtet në të cilat qëndronte i biri dhe sjelljen e personelit gjatë shtrimit në spital.
Pas reagimit të QSUT-së, mbetet për t’u parë se çfarë masash konkrete do të ndërmerren jo vetëm për rastin e denoncuar, por edhe për përmirësimin e kushteve dhe garantimin e trajtimit me dinjitet të pacientëve të mitur.
/Emisioni Fiks Fare













