“KRYQI I FJALËS”– HIMN PËR NËNËN
Arben Çejku sjell një “tablo” plot ngjyra në një roman të rrallë
Romani i tretë i Arben Çejkut është ndërtuar mbi një fabul në dukje të thjeshtë: njeriu përballë kohës. Viktor Oroshi, mirditori i talentuar, ka pikturuar në kujtesën e vet mundin shpirtëror e fizik të nënës dhe të krejt familjes. “Vala e korrikut ’90” e rrëmben dhe ai gjen ëndrrën e vet: bëhet pjesë e Luvrit parisien… Po ç’kërkon më shumë Viktor Oroshi?
Në faqet e para të librit, autori na rrëmben në një “erotizëm perëndimor” dhe, si lexues, kërkon të kuptosh se ku do të dalë personazhi kryesor. Mendja të shkon te kurthet e dashurisë, aventura e parasë, pasurimit dhe “qejfit momental”. Por ndeshesh me një përmbysje të kohës dhe rrëfimit: Viktor Oroshi nuk ka ardhur në Paris për ta harruar të shkuarën. Ai është në këtë kryeqytet evropian pikërisht për të mos harruar vendin nga erdhi dhe, sidomos, nënën e vet, të duruarën Moma Liza. Pikërisht këtu romani i Çejkut fillon “numërimin mbrapsht”: sillet e shkuara me mugëtirën e vet, për të ndriçuar sadopak të tashmen dhe diçka përtej saj. Me mjeshtëri, plot ngjyra të fjalës dhe fantazisë, autori ndërton “ura” me të shkuarën, me dëshirë për të ndriçuar të ardhmen.
Me realizëm të thekur, thjeshtësi dhe dramacitet shpirtëror, Arben Çejku na rrëfen kohën e “revolucionit ateist”, kur njeriu i thjeshtë u plagos në shpirt përpara se rrënojat e kishave dhe xhamive të shfaqeshin në celuloidin e kohës. Siç kemi jetuar e dëshmuar, besimi nuk zhduket me dekrete apo “nisma rinie”, sepse mbi të gjitha ishte dhe mbeti te njeriu. Këtë e provoi edhe babai i Viktorit, për të cilin kryqi i besimit qe bërë pjesë e shpirtit. Romani i Çejkut pikturon botën shqiptare “pa besim publik”, por me një mirësi të heshtur, të derdhur në fjalë, maturi dhe mirëkuptim të njeriut për njeriun. Jeta e familjes Oroshi në rrethinat e Tiranës dëshmon se shpirti i mirësisë shqiptare mbetet i pamposhtur, pavarësisht orjentimit fetar. Moma Liza, me “dëshminë e fshehur”, të bën të besosh se një ditë do të shpërthejë nga heshtja ose, së paku, do të shkojë tek i biri për të shijuar “botën që nuk e pa”. Por Çejku nuk bie në skematizëm. Fjala e tij “ndërton” ura mes Shqipërisë dhe Parisit. Ura ku ec e jaket e shpirtit mbeten “elektrone në lëvizje”, ndërsa shkrimtari, me penelata të qullta, e bën lexuesin të shëtisë në misteret e pikturave të Luvrit dhe thesareve evropiane duke biçikluar nëpër Paris me djaloshin nga Oroshi.
Leximi të zhyt në një kurth të mistershëm: a do ta sjellë “biri i nënës” Moma Lizën në Paris, apo do të shkojë ai tek ajo me “nusen përdore”? Prania e Viktorit në mes të Parisit mbetet një “lavjerrës” që qetësisht të përplas me botën plot ngjyra të autorit, ndërsa pret me ankth fatin e familjes Oroshi. Viktor Oroshi është një personazh i rrallë i letërsisë së deritashme: tek ai janë virtytet e brezit që njeh rrënjët, që nuk harron të shkuarën dhe që kërkon “rrugën e pashkelur” për nënën e vet, duke marrë mbi vete një rrezik të madh. Edhe pse, në njëfarë mënyre, Viktor Oroshi dëshmon një lloj “ ceni mirditore”, duke zhgënjyer pikërisht mikun që i kishte hapur derën e Luvrit dhe i kishte dhënë besim, ai në fund të fundit i sjell “pesë minuta lavdi e famë” nënës së vet, e cila sakrifikoi aq shumë duke shpresuar një ditë të bardhë.
Mrekullia nuk bie gjithmonë nga qielli: atë e sjell edhe njeriu me “çmendurinë e fantazisë” së vet, siç ndodh me Viktor Oroshin. (Ky djalë i “vizatuar” aq qartë përmes penës së Ҁejkut herë herë të kujton botën e trazuar të Gjorkut të Kadaresë tek “Prilli i thyër”, por pa fund tragjik).Falë guximit dhe fantazisë të ndritshme të Viktorit, birit të nënës që pret dhe babait që nuk jeton, Moma Liza bëhet magjishëm Mona Liza e famshme, duke e “ndalur” botën për disa çaste. A nuk është një simbolikë plot madhështi veprimi “guerrilas” por artistik i djalit nga Oroshi i Mirditës? A nuk ndien mornica në trup kur autori të fut në “ethet e famës” dhe një nënë shqiptare bëhet, për pak çaste, “Mona Liza” e botës?
Viktor Oroshi ka realizuar një mision: e ringre në piedestalin e famës nënën e vet.Të duket një famë e madhë shqiptare. Dhe këtu të vjen vetvetiu një tjetër përfytyrim: a nuk të duket Moma Liza edhe si Nëna Shqipëri, ajo për të cilën Agolli do të shkruante vargje rrëqethëse dekada më parë? “Kryqi i fjalës” është një roman-himn për nënën shqiptare, himn për mundin dhe sakrificën shqiptare dhe një kërkim intrigues për t’i dhënë Shqipërisë “atë që i takon”. Pra, nuk është thjesht një roman që rrëfen një fabul. Jo. “Kryqi i fjalës” është një simbolikë e madhe e mendimit dhe sakrificës, që pas leximit të bën të mendosh se si do ta zgjidhje ti enigmën e “kryqit të fshehur”. Shumë autorë kanë prirjen ta zgjidhin në fund konfliktin e fabulës, ndërsa Çejku të zhyt në një dilemë të habitshme: A bëri mirë mirditori i Oroshit, apo thjesht bëri një “cubllëk” në mes të Francës? Këtu autori na fut të gjithëve në një qerthull të fjalës e të mendimit, si në një film ku “seritë nuk mbarojnë”, ndërsa Moma Liza mbetet e heshtur dhe madhështore pranë Tiranës, larg gjithë rrëmujës. Ajo puth “kryqin e vet”, ku gjen paqen që i duhet, ndërsa lexuesi duartroket i humbur në një rrëfim të rrallë.
“Kryqi i fjalës” i Arben Ҁejkut do mbetet edhe si “kryqëzim” i padrejtë ndaj “Nënës Shqipëri”. Unë u ngazëllova duke lexuar këtë roman dhe nuk mund të heshtja.
SHEFQET MEKO
Minneapolis, 1 tetor 2026
Lini një Përgjigje