E hënë, 12 Tetor 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Lifestyle

Robotët drejt fushëbetejës, Koreja e Jugut investon në ushtrinë e së ardhmes

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, ka inauguruar të hënën bazën e parë ushtarake të dedikuar për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale, me fokus krijimin e robotëve që mund të kryejnë detyra të rrezikshme në terren.

Objekti ndodhet në Pangyo, në jug të kryeqytetit Seul, dhe do të shërbejë për trajnimin e robotëve humanoidë dhe atyre me shumë këmbë.

Reklamë

Për këtë qëllim do të përdoren të dhëna të inteligjencës artificiale fizike dhe modele të avancuara të IA-së, bëri të ditur ministria, sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë rreth 150 zyrtarë, mes tyre përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për shkencën dhe industrinë.

Reklamë

Robotët e zhvilluar në këtë kuadër pritet të përdoren për transportimin e furnizimeve në zona me rrezik të lartë, neutralizimin e mjeteve shpërthyese dhe pastrimin e fushave të minuara. Këto detyra synojnë të kryhen me më pak ekspozim të personelit ushtarak ndaj rreziqeve që mund të kërcënojnë jetën e tyre.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, objektivi është krijimi i një qendre të avancuar në nivel ndërkombëtar për inteligjencën artificiale fizike, një teknologji që u mundëson sistemeve robotike të perceptojnë dhe të ndërveprojnë me mjedisin fizik.

Plani parashikon ngritjen e pesë bazave të transformimit ushtarak përmes IA-së në zona të ndryshme të vendit.

Në këtë projekt do të angazhohen degët e ndryshme të forcave të armatosura, si dhe Shefat e Shtabit të Përbashkët. Një nga bazat e planifikuara do të vendoset në selinë e këtij institucioni, në lagjen Yongsan të Seulit.

Paralelisht, autoritetet synojnë të zgjerojnë partneritetin me kompanitë private të teknologjisë, me qëllim përshtatjen për nevoja ushtarake të sistemeve të inteligjencës artificiale që fillimisht janë krijuar për përdorim komercial.

Nisma lidhet edhe me përpjekjet e Koresë së Jugut për të përballuar mungesën e personelit ushtarak, si pasojë e rënies së lindshmërisë.

Përmes automatizimit, vendi synon të ruajë gatishmërinë dhe kapacitetet operacionale të ushtrisë, edhe në kushtet e një numri më të vogël trupash.

Më herët, mediat kanë raportuar se ushtria e Koresë së Jugut po zgjeron përdorimin e inteligjencës artificiale, përfshirë testimin e robotëve humanoidë në anijet luftarake, si pjesë e përpjekjeve për modernizimin e forcave të armatosura.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.