Gazetari Marin Mema ka reaguar ashpër pas deklaratës së zv.ministrit të Brendshëm të Greqisë, Kostas Gjolekas, i cili gjatë vizitës së djeshme në Korçë u shpreh se grekët duhet të vijnë në qytetin e serenatave për të parë trojet e tyre të hershme.
Përmes një postimi në Instagram, Mema ka kujtuar se prej 14 vitesh është shpallur “Non Grata” nga shteti grek, sipas tij, për shkak të një reportazhi ku dokumentoi nga terreni Çamërinë dhe trojet shqiptare të mbetura brenda kufijve të Greqisë.
Gazetari ngre pikëpyetje mbi deklaratën e zyrtarit grek dhe praninë e pretendimeve të tilla në Korçë, qytet që ai e cilëson si një nga qendrat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ku figura të shumta luftuan për gjuhën dhe identitetin kombëtar.
“Prej 14 vjetësh jam ‘Non Grata’ në Greqi, sepse dëshmova nga terreni të vërtetën për Çamërinë dhe trojet e tjera të mbetura në Greqi… ndërsa një zv.ministër grek zbret në Korçë dhe u bën thirrje grekëve të vijnë për të parë, sipas tij, tokën e të parëve të tyre! Çfarë të parësh kërkojnë këta në Korçë?”, shkruan Mema.
Në vijim, gazetari përmend edhe zhvillime të tjera që i konsideron shqetësuese, duke iu referuar diskutimeve për minoritetin, vendosjes së shtatores së Napoleon Zervës, zgjerimit të muzeut dhe kërkesave për varreza e territore.
“Ky qytet është një nga gurët e themelit të Lëvizjes Kombëtare, ku shumë figura dhanë jetën për gjuhën shqipe. Njëri kërkon minoritet aty ku nuk ka, tjetri vendos Zervën, tjetri do muze më të madh e mbi të gjitha në qytetin e pavarësisë, tjetri do varreza, territore! E frikshme!”, përfundon reagimin e tij Marin Mema.
