Një urdhër i brendshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, i datës 8 shtator 2026, ka ndryshuar mënyrën e përllogaritjes së vlerës së zhdoganimit të automjeteve, duke sjellë shqetësim te qytetarët dhe agjencitë doganore.
Sipas denoncimit të mbërritur në emisionin “Stop”, një qytetar, që kishte porositur një motor nga Italia, ishte informuar paraprakisht, se zhdoganimi do t’i kushtonte rreth 400 mijë lekë të vjetra. Por, kur motorri mbërriti në shtator, ai mbeti në port, pasi vlera e re e përllogaritur ishte shumëfishuar.
Përmes kamerës së fshehtë, agjencitë doganore shpjegojnë, se tashmë vlerësimi mbështetet te çmimet e motorëve në faqet e huaja online, duke marrë në konsideratë kilometrat, tipin, modelin, cilindratën dhe karburantin.
Sipas shpjegimit të dhënë nga një agjenci, përllogaritja bëhet me 38% të vlerës së referencës, që gjendet në internet, dhe jo mbi faturën e blerjes së mjetit. Ndryshimi ka sjellë bllokimin e motorëve në port, pasi shumë pronarë nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e reja.
Sipas avokatit Klaudi Zholi, ndryshimi i mënyrës së vlerësimit përmes një urdhri të brendshëm ngre pikëpyetje për kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe respektimin e kuadrit ligjor.
Kodi Doganor, sipas materialit të kronikës, ka pasur ndryshimet e fundit ligjore në vitin 2014, të pasuara nga udhëzimi i vitit 2018 i Ministrisë së Financave, mbi bazën e të cilit janë përpiluar faturat e zhdoganimit.“Stop” i është drejtuar për një takim Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por nuk ka marrë përgjigje.
———————————–
Episodi 1
Qytetarja – Në bazë të çfarë e vendos dogana? Si?
Agjensia 1– Çmimet e online në bazë të kilometrave. Sa kilometra ka motorri jot dhe sa kushton online. Ça vlere ka, 38% e asaj vlerës.
Qytetarja – Tani, ato i referohen çmimeve, që gjejnë nëpër sajte, jo sa e kam blerë unë?
Agjensia 1-Po! Futen te sajti. Nga vjen motorri?
Qytetarja – Nga Anglia!
Agjensia 1-Futen te këto sajtet angleze ose mobile.de a më the të thashë. Shofin aty vlerat, në bazë të sa kilometra ka motorri. 38% e asaj vlerës, që shef ti aty, gjithmonë, duke u bazu në kilometrat, tipi, modeli, cilindrata e karburanti, më the të thashë. I bie doganë.
Qytetarja – Sa kohë ka, që e kanë ndryshu, mo aman?
Agjensia 1-Ka nja dy javë. Është mbush sheshi aty plot me motorra.
Qytetarja – Plot?
Agjensia 1-Asnjë s’i ka zhdoganu. Skandal, po të them, pra.
Qytetarja – Po si do punohet kështu?
Agjensia 1-S’është tu u punu pra, kanë shku… Është plot aty, se asnjë s’e ka zhdoganu motorrin. Ça janë zhdoganu, ia kanë sjellë nga 3 milionë lekë. Për neve njëherë, skandal fare, po barra është mbi njerëzit, mbi klientët. Tashi, të paguash për një motorr, 3 milionë e 600 mijë lekë, që ka pagujt njëni këtu te mu, motor të 2012-tës.
Qytetarja – Ky udhëzim, kush e nxorri? Kur e nxorri?
Agjensia 1-Udhëzim i brendshëm. Udhëzim i brendshëm, e ka nxjerrë drejtori.
Qytetarja – Ça thu mo?
Agjensia 1-Atje te dogana, me atë po veprohet. E kupton, ça ndodh këtu, apo jo?
Episodi 2:
Agjensia 2– Prapë dogana në momentin, që do ta hudhi, do gjej variante të tjera, që mund të jenë edhe më të shtrenjta, se ajo, që mund të them. Kupton, hë! Tashi, që janë bo me këto regullat e reja doganës, ne të japim një vlerë të përafërt, po në momentin, që e hudhim në sistem atë, kupton, hë. Si quhet ai motorri?
Qytetarja – Jamaha, x maks! (X-max)
Agjensia 2– 300!
Qytetarja – 300 po, 300, viti 2020. 18 mijë kilometra kishte.
Agjensia 2-E zëmë, se e marrim me 2500-nd.
Qytetarja – Ok!
Agjensia 2-I bie të dalë diku te 1 milionë lekëshi.
Qytetarja – Po para këtij ndryshimi, sa më binte mua të paguaja doganë?
Agjensia 2-Diku te 500 mijë lekëshi.
/Emisioni STOP











