Shaip Kamberi, përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë nga Luga e Preshevës, ka ngritur zërin kundër politikës financiare të Beogradit, e cila sipas tij karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe trajtimi i pabarabartë i dy komuniteteve.
Të lidhura
None found
Përmes një deklarate të publikuar nga Koalicioni Shqiptar, Kamberi kërkon sqarimin e fatit të fondeve shtetërore serbe dhe lirimin e mjeteve që Kosova ka caktuar për projekte në dobi të shqiptarëve që jetojnë në Luginë.
Baza e kritikës së tij është një deklaratë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhënë më 13 shtator 2022 para Kuvendit të Serbisë, ku thuhej se shteti ndan çdo vit nga 700 deri në 820 milionë euro vetëm për Kosovën.
Sipas Kamberit, megjithëse shifrat janë të mëdha, mbetet e panjohur se ku shpenzohen këto fonde dhe kush përgjigjet para publikut për to.
“Në Kuvendin e Serbisë, A. Vuçiq kishte deklaruar se Serbia ndan për ‘çdo vit 700-820 milionë’ euro për Kosovën pa theksuar se kujt i paguhen këto para dhe kush i kontrollon. U pranua se shuma e saktë nuk dihej dhe se jo të gjitha mjetet kalonin përmes të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovën'”, shkroi ai në reagim.
Deputeti vëren se edhe me llogaritë e mundshme – rreth 100 deri në 180 milionë euro që kalon Zyrën për Kosovën dhe afërsisht 100 milionë euro të shpërndara përmes ministrive të tjera – mbetet një hendek i madh që mbetet pa shpjegim.
“Nëse vlerësimet për 100-180 milionë euro për Zyrën për Kosovën dhe rreth 100 milionë përmes ministrive të tjera janë të sakta, ku përfundojnë qindra milionët e mbetur? Kush i përfiton dhe kujt i jep llogari?”, pyet Kamberi.
Kritika e tij përfshin edhe situatën e anasjelltë: Serbia, sipas deputetit, po pengon mjetet e caktuara nga Kosova për komunitetin shqiptar në Luginë.
Ai përmend konkretisht 129 projekte dhe katër programe, mes tyre shpërndarjen e librave pa pagesë për nxënësit, praktikën profesionale për të rinj, financaimin e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktiviteteve të avokimit.
Kamberi nënvizon se kjo kontradiktë nxjerr në pah një standard të dyfishtë: kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës, kërkohet vetëm besim pa llogaridhënie, ndërsa për shqiptarët zbatohen pengesa e bllokada.
“Dallimi është i qartë: për qindra miliona euro kërkohet besim, pa transparencë të plotë publike. Për librat e fëmijëve shqiptarë dhe projektet konkrete për komunitetin shqiptar vendoset bllokadë”, tha ai.
Në mbyllje të reagimit, Kamberi kërkon që çdo euro e parasë publike të trajtohet me transparencë dhe që pengesat ndaj fondeve për Luginën të hiqen menjëherë.
“Të drejtat e pakicave nuk mund të varen nga interesat politike të pushtetit. Llogaritë të bëhen publike. Mjetet të zhbllokohen. Barazia të zbatohet”, përfundon ai.




