Sadleva Bodo pritet të marrë drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi vetëm shtatë muaj në këtë detyrë. Gazetarja Anila Hoxha ka konfirmuar se Bodo do të marrë drejtimin e institucionit, duke kaluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në administrimin e sistemit penitenciar.
Bodo ka punuar për pesë vite në BKH, ku ka mbajtur pozicionin e këshilltares ligjore të drejtorit. Ajo e nisi këtë detyrë gjatë drejtimit të institucionit nga Aida Hajnaj dhe vijoi më pas nën drejtimin e Joni Ketës.
Përpara angazhimit në strukturat e posaçme të hetimit, Bodo ka mbajtur një post të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme. Nga maji 2018 deri në gusht 2021, ka drejtuar Drejtorinë e Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës. Në pesë muajt e parë të kësaj periudhe, ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj.
Pas largimit nga ministria në gusht 2021, Bodo iu bashkua Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku vijoi karrierën si këshilltare ligjore e drejtuesve të institucionit. Më 9 tetor, tri ditë përpara se emri i saj të dilte si pasuese e Adriatik Kupit, Bodo është takuar privatisht me kryeministrin Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.
E lindur më 29 janar 1988, Sadleva Bodo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Më pas ka ndjekur studime pasuniversitare në Ëayne State University në Detroit, SHBA, dhe në Universitetin e Maastricht-it në Holandë. Prej dhjetorit 2022, ajo është gjithashtu anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Bodo pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 14 tetor, duke zëvendësuar Adriatik Kupin në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
