Një familje siriane që jeton në Skoci ka marrë një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike: 3 mijë paund për të nisur një jetë të re në Shqipëri, ndonëse nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë.
Sipas gazetës skoceze The Sunday National, letra zyrtare e Ministrisë së Brendshme britanike i është dërguar 39-vjeçarit Fadi Alsakka, i cili jeton në Glasgow me bashkëshorten Lojain dhe dy fëmijët e tyre, Ayman, 11 vjeç, dhe Ayla, 10 vjeçe.
Në dokument thuhet se ndihma financiare mund ta ndihmojë familjen të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri. Për Alsakka-n, ky propozim është i pakuptueshëm, pasi familja nuk ka të afërm apo lidhje të tjera me vendin tonë.
“Gabime të tilla nuk mund të tolerohen kur bëhet fjalë për jetën dhe të ardhmen e njerëzve. Një gabim i tillë mund të jetë fatal”, u shpreh ai për The Sunday National.
Rasti ka ngritur dyshime për saktësinë e procedurave që ndjekin autoritetet britanike në shqyrtimin e kërkesave për azil. Familja dyshon se gabimi mund të lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale, por deri tani nuk ka prova që letra të jetë hartuar me ndihmën e saj.
Shqetësimet vijnë pas raportimeve të The Independent për pasaktësi në sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga autoritetet britanike, duke rikthyer debatin mbi rreziqet që gabimet administrative mund të sjellin për njerëzit që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
