Kabllo elektrike të ekspozuara në ambientet e Pediatrisë në QSUT kanë ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve, familjarëve dhe personelit mjekësor që frekuentojnë këtë spital.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke denoncuar gjendjen e instalimeve elektrike në korridoret e repartit, pranë ambienteve ku ofrohen shërbime diagnostikuese si ekografia dhe grafia.
Në videot e dërguara shihen kabllo që dalin nga muret, kalojnë përgjatë sipërfaqes dhe futen sërish në pjesë të tjera të murit. Sipas denoncuesit, instalimi duket i improvizuar dhe ngre pikëpyetje për masat e sigurisë në këto ambiente.
Shqetësimi është veçanërisht i madh për shkak se bëhet fjalë për një repart ku marrin shërbim fëmijë dhe ku lëvizja e pacientëve dhe familjarëve është e vazhdueshme.
Kabllot e ekspozuara mund të përbëjnë rrezik nëse instalimi nuk është i mbrojtur siç duhet, ndaj nevojitet një verifikim teknik nga specialistët përgjegjës për të përcaktuar gjendjen reale dhe masat që duhen marrë.
Qytetari kërkon ndërhyrjen e drejtuesve të QSUT-së për të kontrolluar instalimet elektrike dhe për të garantuar sigurinë në ambientet ku trajtohen fëmijët.
JOQ Albania publikon pamjet dhe pret një reagim nga drejtuesit e QSUT-së lidhur me problematikën e denoncuar.