
Tre 16-vjeçarë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të rëndë të ndodhur pas mesnatës në bypass-in e Beratit. Sipas të dhënave paraprake, të miturit po lëviznin me motorë elektrikë dhe dyshohet se po bënin gara me njëri-tjetrin. Në rreth-rrotullimin në dalje të qytetit, ata kanë humbur kontrollin e mjeteve dhe janë përplasur.
Të tre u transportuan fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit. Dy prej tyre, me dëmtime të rënda në kokë, u nisën me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhen në gjendje serioze. I mituri i tretë po trajtohet në Berat për fraktura të shumta, por është jashtë rrezikut për jetën. Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e aksidentit.