Një incident gjatë fluturimit të Delta Airlines nga Los Angeles për në Nju Jork përfundoi me arrestimin dhe dërgimin në spital të aktores amerikane Selma Blair, të dielën, më 11 tetor. Mediat amerikane raportojnë se ajo dyshohet se kafshoi dy stjuardesa gjatë një sulmi ndaj tyre dhe u përpoq të hapte derën e avionit.
Të lidhura
None found
Njoftimi se një pasagjere kishte përdorur dhunë fizike në bord vuri në lëvizje autoritetet e aeroportit. Nga ngjarja u plagosën dy pjesëtare të ekuipazhit, njëra prej të cilave pati nevojë të dërgohej në spital.
Për ndërhyrjen pas mbërritjes së avionit në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork dha konfirmim edhe një zëdhënës i Delta Airlines. Sipas kompanisë, ngjarja nuk pati ndikim në fluturim, ndërsa mbrojtja e pasagjerëve dhe e ekuipazhit mbetet prioriteti i saj kryesor.
Raportimet e mediave amerikane bëjnë të ditur se episodet nuk përfunduan me nxjerrjen e Blair nga avioni. Aktorja dyshohet se, teksa po dërgohej me ambulancë në spital, goditi në mënyrë të përsëritur me shqelm në kokë një oficer të policisë së Autoritetit Portual.
Një tjetër sulm i dyshuar ndodhi më pas në spital, këtë herë ndaj një infermiereje, e cila ngriti padi lidhur me incidentin.
“Page Six” raporton se ndaj Blair janë ngritur dy akuza federale për sulm. Ndërkohë, akuzat që lidhen me veprimet e dyshuara kundër oficerit të policisë dhe infermieres janë në nivel shtetëror. Hetimin e incidentit po e kryen FBI-ja.
Zëdhënësi i aktores, në një prononcim për BBC-në, e lidhi sjelljen e dyshuar me një urgjencë mjekësore që ajo kishte përjetuar. Ai deklaroi se Blair iu dha ndihmë mjekësore menjëherë pas uljes së avionit dhe se gjendja e saj aktualisht është e qëndrueshme.
Blair është 54 vjeçe dhe njihet për interpretimet në “Cruel Intentions”, “Legally Blonde” dhe “Hellboy”. Diagnozën me sklerozë të shumëfishtë ajo e bëri publike në vitin 2018.






