Kryeministri në Luksemburg: Edhe një hap më pranë ëndrrës shekullore…
Sot do të mbahet konferenca e radhës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Delegacionin shqiptar në konferencën që do të mbahet në Luksemburg, pritet ta kryesojë kryeministri Edi Rama.
“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama mëngjesin e sotëm.
Kjo do të jetë Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER).
Konferenca mbahet ndërsa pak ditë më parë, Shqipëria mbylli kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Europian.
Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat më të mira europiane.
Agjenda zyrtare
16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.
16:45 – Doorstep.
16:50 – Fotografi e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe Ministrit Thomas Byrne.
17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE dhe miratimi i agjendës.
17:45 – Përfundimi i Konferencës Ndërqeveritare dhe vijimi i konferencës për shtyp; Kryeministri Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrin irlandez, Thomas Byrne.

