QKK prezanton drejtimet e projektligjit të ri, deri 35% rimbursim për produksionet

13 Tetor 2026, 09:10Kulturë TEMA
QKK prezanton drejtimet e projektligjit të ri, deri 35% rimbursim për

Qendra Kombëtare e Kinematografisë prezantoi dje, në një konferencë për shtyp, drejtimet kryesore të projektligjit të ri “Për Kinematografinë dhe Audiovizualin”.

Nisma synon modernizimin e kuadrit ligjor të vitit 1996 dhe zgjerimin e mbështetjes për industrinë audiovizuale shqiptare, përtej filmit tradicional, duke përfshirë serialet, videolojërat dhe veprat imersive. Një tjetër objektiv është nxitja e vendimmarrjes së përbashkët me komunitetin e kineastëve.

Kryetari i QKK-së, Jonid Jorgji, u shpreh se, në konsultim me komunitetin, do të vlerësohen fushat ku nevojitet më shumë investim. Ai bëri të ditur se ligji aktual parashikon që 70% e buxhetit të shkojë për kinematografinë, kryesisht për filmin e autorit, ndërsa 30% të alokohet për sektorin audiovizual, ku përfshihen serialet, videolojërat dhe produktet imersive.

Ndër risitë e propozuara në projektligj janë edhe incentivat financiare përmes një skeme rimbursimi deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara të kryera në Shqipëri nga produksionet shqiptare dhe të huaja. Ky mekanizëm synon të nxisë bashkëprodhimet, tërheqjen e produksioneve ndërkombëtare dhe gjenerimin e përfitimeve ekonomike, përmes rritjes së punësimit dhe ndikimit në sektorin e turizmit.

Në konferencë ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, e cila theksoi rëndësinë e bashkërendimit me Komisionin Evropian për hartimin e kuadrit të ri ligjor dhe zbatimin e mekanizmave financiarë.

“Është një proces mjaft kompleks i kuadrit ligjor, sepse përfshin edhe mekanizma që lidhen me antikorrupsionin dhe pastrimin e parave. Por këto incentiva janë të domosdoshme dhe janë parashikuar edhe në Strategjinë Kombëtare të Kulturës, të cilën e kemi miratuar në korrik”, u shpreh zëvendësministrja Pipa.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një programi kombëtar katërvjeçar, zgjerimin e kategorive të financimit dhe mbështetjen e edukimit profesional përmes bursave dhe shkëmbimit të përvojave.

Synimi është zhvillimi i një industrie audiovizuale me ndikim kulturor dhe ekonomik, si dhe forcimi i rolit të filmit shqiptar në promovimin e kulturës dhe turizmit të vendit në arenën ndërkombëtare. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje