Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një operacion kundër një grupi të dyshuar kriminal që merrej me trafikimin e qenieve njerëzore dhe transportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar katër persona, të identifikuar si Jorgji Kuvarati, Erius Hajdari, Arzen Bregasi dhe Lamela Berlat. Ndërkohë, një person i pestë është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas të dhënave paraprake, personat e arrestuar dyshohet se janë pjesë e një grupi që organizonte trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, të njohur ndryshe si klandestinë.
Operacioni është zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ndërsa hetimet synojnë dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Më herët u raportua se në kuadër të këtij operacioni ishin lëshuar pesë urdhër-arreste, mes tyre edhe për efektivë policie. Megjithatë, ende nuk ka të dhëna të plota zyrtare mbi rolin e secilit prej të dyshuarve, si dhe nëse mes personave të arrestuar ka punonjës të Policisë së Shtetit.
Pritet që SPAK dhe Policia të japin detaje të mëtejshme për mënyrën e funksionimit të grupit, itineraret e përdorura për transportimin e emigrantëve dhe akuzat konkrete ndaj personave të përfshirë.
© SYRI.net