Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 35-vjeçari, i cili po udhëtonte me motor, në orët e para të mëngjesit të së martës në zonën e Pangratit, në Athinë.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku motori me drejtues 35-vjeçarin u përplas me një automjet, i cili drejtohej nga një shqiptar.
Pamjet e regjistruara nga një kamera sigurie tregojnë momentin e përplasjes mes dy mjeteve.
Sipas zëdhënëses së Policisë greke, Konstantia Dimoglidou, hetuesit po shqyrtojnë nëse njëri prej dy drejtuesve të mjeteve ka kaluar me semafor të kuq.
52-vjeçari shqiptar mbeti i plagosur lehtë nga aksidenti.
Pas ngjarjes, ai u arrestua, por më pas u la i lirë me urdhër të prokurorit.
Nga përplasja e fortë, si motori, ashtu edhe automjeti përfunduan mbi makina të parkuara në rrugë, duke shkaktuar dëme materiale edhe në këto mjete.
© SYRI.net