Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëron se ekonomia globale mund të përballet së shpejti me kufijtë e aftësisë së saj për të përballuar krizat e reja, ndërsa rezervat e naftës po pakësohen dhe buxhetet e qeverive janë nën presion për shkak të borxheve të larta.
Në raportin më të fundit mbi perspektivën ekonomike botërore, FMN vlerëson se ekonomia globale ka arritur të përballojë më mirë nga sa pritej pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritjen e çmimeve të energjisë.
Por, institucioni paralajmëron se kjo qëndrueshmëri mund të vihet në provë nëse shfaqen goditje të tjera ekonomike.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me pakësimin e rezervave strategjike të naftës, të cilat janë përdorur për të zbutur ndikimin e krizës energjetike.
Ndërkohë, borxhi i lartë publik dhe deficitet buxhetore kufizojnë mundësinë e qeverive për të mbrojtur konsumatorët nga rritjet e reja të çmimeve.
FMN-ja ka rritur lehtë parashikimin për rritjen ekonomike globale në vitin 2026, në 3.1%, nga 3% që parashikonte më parë. Për vitin 2027, institucioni pret një rritje prej 3.4%.
Megjithatë, rreziqet mbeten të larta. Përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme, ndërprerjet e furnizimit me energji, sulmet kibernetike dhe ngjarjet ekstreme të motit mund të rëndojnë më tej ekonominë botërore.
FMN-ja u bën thirrje qeverive të forcojnë kapacitetet e furnizimit me energji dhe të krijojnë rezerva të reja financiare, në mënyrë që të jenë më të përgatitura për krizat e ardhshme.